Dihet fakti se ushtrimet e rregullta përmirësojnë shëndetin, atë mendor dhe fizik, por gratë duket se kanë më shumë përfitime se burrat, nëse bëjnë rregullisht stërvitje apo shkojnë në palestër
Sipas një studimi të botuar në “Journal of the American College of Cardiology”, gratë që kanë aktivitetet të rregullt fizik, jo vetëm në palestër, por edhe në natyrë kanë më pak rrezik që të kenë vdekje të parakohshme krahasuar me burrat që bëjnë të njëjtën gjë.
Studimi zbuloi se gratë fizikisht aktive kishin 24% më pak shanse të vdisnin për çfarëdo lloj shkaku, kjo krahasuar me gratë që nuk bëjnë asnjë aktivitet. Burrat kishin vetëm 15% më pak shanse.
Për më tepër, gratë kishin një rrezik të zvogëluar rreth 36% për një atak në zemër, goditje në tru ose probleme të tjera kardiovaskulare. Meshkujt kishin një rrezik të reduktuar gati14%.
“Rezultatet tregojnë se gratë në thelb përfitojnë më shumë nga çdo minutë stërvitje ose aktivitet krahasuar me burrat,” tha një nga autoret e studimit, Martha Gulati.
Për këtë studim, u analizuan të dhënat e më shumë se 400 mijë të rriturve në SHBA mes moshës 27 dhe 61 vjeç. Ata zbuluan se gratë fizikisht aktive jo vetëm që kishin shans më të ulët të vdekjes së parakohshme në përgjithësi krahasuar me burrat, por ato e reduktonin më shumë rrezikun nëse bënin stërvitje të rregullt.
Për ushtrime të moderuara aerobike, të tilla si ecja e shpejtë, gratë mund të bëjnë gjysmën e sasisë së burrave çdo javë për të marrë përfitimin e dëshiruar.
Vetëm 57 minuta në javë ushtrime të forta si vrapi apo ushtrimet e forcës ishin gjithçka që u duhej grave për të ulur rrezikun e vdekjes së parakohshme, kurse burrave u nevojiteshin 110 minuta, citon Anabel.
Studiuesit janë në një mendje kur thonë se faktorë të shumtë mund të kontribuojnë në përfitimin e grave më shumë se burrat, duke përfshirë ndryshimet hormonale, masën muskulore që e bën trupin e grave më efikas në ushtrime etj. /Telegrafi/