Një polic në Pejë është arrestuar ditën e enjte, pasi që i njëjti dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë.
Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka konfirmuar për Telegrafin se viktima ka pranuar tretmanin e duhur, ndërsa janë duke punuar për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.
“Prokuroria Themelore në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës, ditën e enjte kanë arrestuar një polic nën dyshimin për veprën penale ‘ngacmim seksual’, ku pas intervistimi i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Viktimës i janë dhënë të gjitha tretmanet e duhura, pranë saj ka qenë mbrojtësi i viktimave seksuale, prokurori, dhe zyrtarët policorë. Aktualisht sa jemi duke biseduar, prokurori është duke përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit”, ka pohuar ai.
Më herët, Inspektorati Policor i Kosovës konfirmoi arrestimin e të dyshuarit, ndërsa bëri të ditur se tashmë kanë rekomanduar suspendimin e tij nga puna.
“Si pjesë e procedurave administrative për zyrtarin e dyshuar IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e tij”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Tutje, theksohet se Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar drejt mbajtjes së standardeve të larta të integritetit brenda institucioneve të sigurisë publike përderisa hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti./Telegrafi/