LAJMI I FUNDIT:

Profil për Mehmet Derallën, tetovari që themeloi shtetin shqiptar

Profil për Mehmet Derallën, tetovari që themeloi shtetin shqiptar

Mehmet Pashë Deralla ka lindur më 31 tetor 1843 (Gradec të Tetovës) dhe mbylli sytë në vitin 1918, po në Tetovë. U arsimua në tri shkolla ushtarake (gjimnaz, shkollë e lartë, akademi). Ushtarak, oficer dhe në moshën 35 vjeç u bë gjeneral, i përkushtuar dhe specialist në përmasa të një strategu. Ai si funksionar në Perandorinë Osmane shërbeu në disa funksione të larta shtetërore e ushtarake brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Gjeneral Deralla në shenjë proteste hoqi spaletat dhe yjet e gjeneralit të Ushtrisë Osmane dhe iu përkushtua çështjes kombëtare. Ai u vu në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pikë kthese në jetën e tij ishte Kuvendi i Prizrenit, i cili duke çmuar dhe vlerësuar cilësitë dhe vlerat moralo-atdhetare të tij, ju afrua vendi i këshilltarit në shtabin e Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Lidhjes. Dukuri ishte se në organizimin politik e ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, morën pjesë dhe dhanë ndihmesë dy figura të familjes Deralla: Hasan Deralla i ati, më politikan dhe Mehmet Deralla, i biri, si ushtarak.


Gjenerali Deralla do të kontribuonte në Kuvendin e Pejës, 23-29 janar 1899, një organizatë politiko-ushtarake mbarëshqiptare. Ishin përpjekjet e personaliteteve shqiptarë të vitit 1899, të cilët nën drejtimin e patriotit të shquar Haxhi Zeka, ndërmorën këtë aksion politik dhe luftarak. Kuvendi i Pejës u shtyp pa i mbushur qëllimet dhe objektivat e saj. Mehmet Deralla ndërroi taktikë. Ai u vu në krye të aksioneve të veçuara e të grupeve të vogla vullnetare, duke iu kundërvënë që në embrion synimeve e veprimeve të monarkive ballkanike që kishin për hapësirën shqiptare. Mehmet Pashë Deralla u kap nga forcat osmane dhe u internua në shkretëtirat e Irakut prej nga u kthye aty nga viti 1908. 65 vjeçari tetovar u kthye nga Bagdati në Selanik e në Shkup. Mehmet Pashë Derallës mori pjesë në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912.

Mehmet Deralla ka qenë ideator, organizator, udhëheqës dhe frymëzues i mjaft kuvendeve mbarëkombëtare si në Prizren, një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të viteve 1878-1881, në Pejë, në Vlorë dhe ishte një nga 40 burrat e shtetit të ri shqiptar që nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.

Me propozim të Isa Boletinit, më 4 dhjetor 1912, Mehmet pashë Deralla u zgjodh ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme, duke fituar 42 vota dhe duke u radhitur i treti pas Luigj Gurakuqit me 54 vota dhe Myfit Bej Gjirokastrës (Libohovës) me 52 vota. Ministri i Luftës Mehmet pashë Deralla duke bashkëpunuar me Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemalin krijoi lidhje të ngushta me patriotët e shquar si Barjam Curri, Idriz Seferi dhe Haxhi Zeka, duke u organizuar ushtrinë kombëtare shqiptare.

Ndonëse ishte në moshën 69-vjeçare, Mehmet Pashë Deralla nisi detyrën e vështirë të organizimit të ushtrisë shqiptare. Me përvojën 40-vjeçare në drejtimin dhe komandimin e ushtrisë, ai organizoi Komandën e Përgjithshme dhe Shtabin Madhor me strukturat përkatëse. Në sajë të aftësive të tij akademike kontribuoi në hartimin e “Rregullores për organizimin e përkohshëm të Ministrisë së Luftës”, në hartimin e “Rregullores së përkohshme mbi formimin e strukturës së Milicisë Shqiptare” dhe mori masat e duhura për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike./Telegrafi/

Profil për Dervish Carën, tetovari që tmerroi diplomacinë ruse
Lexo po ashtu Profil për Dervish Carën, tetovari që tmerroi diplomacinë ruse