Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Pamje të rënda. Fotografi tronditëse. Postime të turbulluara që zbulohen vetëm pasi të klikohet një buton pëlqimi. Prej një viti e gjysmë, paralajmërimet e tilla kanë mbuluar gjithçka që bota sheh nga Gaza. Nganjëherë, këto skena më tmerrojnë kur më rikthehen papritur në mendje - si një makth i harruar që befas futet me gjallëri në kujtesë. Por, pa lehtësimin që sjell mendimi se ishte vetëm një ëndërr. Javën e kaluar, pashë një video ku dukej trupi i copëtuar, pa kokë, i një foshnje. Kam parë pjesë trupash të shkatërruar, të bërë bashkë në qese plastike. Kam dëgjuar britmat e atyre që po vdisnin dhe heshtjen e atyre që nuk mund të bërtasin më, teksa kamerat i filmonin grumbull së bashku - disa prej tyre anëtarë të një familjeje të tërë. Sulmi i Izraelit ndaj Gazës sfidon çdo përpjekje për t’u mësuar me të. Me kalimin e kohës, ndërsa rritet pragu i asaj që konsiderohet e patolerueshme, pamjet e rënda dhe të ndryshme të vrasjeve vazhdojnë të kapërcejnë pengesën e mpirjes emocionale.


Ndërkohë, politika bën njërën nga këto dy gjëra. Ose e zbut këtë katastrofë historike, duke iu kthyer gjuhës së zbrazët të inkurajimeve për t’u rikthyer në tryezën e negociatave, sikur të ishte thjesht një mosmarrëveshje që mund të zgjidhej nëse palët do të qetësoheshin pak, ose e përmbys katastrofën. Thirrja për ta ndalur këtë, në vend që të jetë instinkti më natyror njerëzor, tashmë është një impuls që në disa vende çon drejt arrestimit apo dëbimit. Ky rrëfim i bën njerëzit e Gazës, të cilët janë gjithnjë të pranishëm në ekranet dhe në linjat tona kohore gjatë masakrës së tyre të përditshme, të duken të largët dhe të huaj. Gaza është dëbuar në një dimension tjetër ku nuk zbatohen rregullat. Gjeografikisht është e izoluar dhe e shkëputur nga Toka. Gazetarët dhe politikanët e huaj nuk lejohen të hyjnë. Gazetarët vendas vriten. Ndihmat e huaja bllokohen. Punonjësit vendas të ndihmës humanitare vriten. Gjykatat ndërkombëtare dhe organizatat e të drejtave të njeriut flasin me një zë për kriminalitetin e asaj që po ndodh. Ata shpërfillen ose sulmohen nga sponsorët e Izraelit.

Dhe, megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për të bllokuar të huajt dhe për t’i heshtur ata brenda, provat për paligjshmërinë dhe joproporcionalitetin e fushatës së Izraelit në Gazë vazhdojnë të shtohen. Muajin e kaluar, Forcat Mbrojtëse të Izraelit vranë punëtorë të Gjysmëhënës së Kuqe dhe i varrosën së bashku me automjetet e tyre. Pamjet që janë nxjerr nga një telefon celular tregojnë se ishte i rremë pretendimi i Izraelit se aktivitetet e ekipit ishin të dyshimta. Punëtori që filmoi videon u gjet me një plumb në kokë. Para se të vdiste, i kërkoi falje nënës së tij për vdekjen, për faktin që kishte zgjedhur një profesion kaq të rrezikshëm. Sa krime të tilla kanë ndodhur, të kryera dhe të varrosura nën mbulesën e errësirës së Gazës, pa pamje që të kundërshtojnë pretendimet e Izraelit?

Mund të duket sikur Izraeli ka arritur të veprojë si gjyqtar, jurist dhe ekzekutues, dhe se po ia del me mbështetjen e ShBA-së dhe Perëndimit, që të përjashtojë palestinezët nga njerëzimi. Por, tani kjo është një detyrë që kërkon përdorimin e forcës. Lufta përshkallëzohet dhe e bën të pamundur çdo justifikim, ndaj duhet të normalizohet me forcë. Dhe, kjo forcë mund të jetë shtypëse në afat të shkurtër, por në afat të gjatë është degraduese. Ajo kërkon burime, përballje dhe paqëndrueshmëri. Duke vënë në shënjestër studentët që flasin kundër asaj që po ndodh në Gazë, qeveria e ShBA-së ka hyrë në luftë me universitetet e veta dhe ka shkaktuar konflikt brenda tyre. Duke nisur dëbimin e studentëve dhe studiuesve, administrata Trump është përfshirë në një përplasje me sistemin e saj ligjor. Përpjekjet e Gjermanisë për të dëbuar ata që marrin pjesë në protestat pro-Gazë thellojnë më tej autoritarizmin alarmues. Aktivizimi i aparatit shtetëror është i domosdoshëm, sepse alarmi për përmasat e krizës në Gazë nuk mund të shuhet më vetëm me dënime verbale.

Dhe, ky mobilizim, së bashku me konfliktin që shoqëron, nuk bën gjë tjetër veçse nxjerr edhe më shumë në pah drejtimin ku Izraeli ka tërhequr pjesën tjetër të botës. Kjo vetëm sa i shndërron protestuesit në figura të njohura, si Mahmoud Khalilin, i diplomuar në Universitetin e Kolumbias dhe zotërues i kartës së gjelbër, i cili përmes avokatit të tij po shpërndan mesazhe tronditëse mbi atë që po zbulon ndalimi i tij - për luftën dhe për sistemin amerikan të imigracionit dhe drejtësisë. Kjo i forcon lidhjet me palestinezët - lidhjet që kundërshtarët e tyre do të donin t’i këputnin. Dhe, duke rritur rrezikun e protestës, tregohet nëse këto rreziqe na përkasin të gjithëve: e drejta për fjalë të lirë dhe për proces të rregullt ligjor, për mbrojtje nga abuzimi shtetëror, dhe për të ushtruar bazat më të thjeshta të njerëzimit. Kërkesa është kjo: për të qenë të sigurt nga persekutimi, duhet t’ia shkulësh vetes sytë. Në vend që ta nxjerrin Gazën jashtë politikës së brendshme, aleatët e Izraelit e kanë sjellë luftën në shtëpi.

Kur kjo përzihet me vdekjen dhe urinë që vazhdon të përkeqësohet në Gazë, ke një recetë jo për nënshtrim, por për rritje të dëshirës për presion moral dhe për dëshmi. Me abdikimin e politikës, dënimi urgjent dhe ngritja e alarmit që duhet të vinte nga udhëheqësit, nuk është shuar - por, ka kaluar te të tjerët. Vetëm javën e kaluar, video-ditari i një kirurgu traumatolog dhe një intervistë në BBC Newsnight zbuluan edhe më shumë vrasjet e të pafajshmëve, edhe më shumë fëmijë që zgjohen të paralizuar apo me barkun plot copëza metali dhe që thërrasin nënat e veta. Në Londër, një protestë ndaloi qarkullimin e trafikut. Në Uashington, gjatë një tjetër proteste, u shpalos një pankartë me emrat e të vdekurve. Në Universitetin e Kolumbias në Nju-Jork, studentët hebrenj lidhën veten me zinxhir te portat, në protestë ndaj ndalimit nga Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave të ShBA-së (ICE) të shokëve të tyre. Rrëfimi për vrasjet e punonjësve të Gjysmëhënës së Kuqe kaloi nga trupi i pajetë te një zyrtar i OKB-së, e më pas te mediat. Po krijohet një “qeveri në hije” e përgjegjësisë, e përbërë nga njerëz që prej kohësh nuk besojnë më në institucionet politike apo nuk kanë shpresë tek ato. E kundërta e lodhjes - diçka që do të pritej me të drejtë pas një viti e gjysmë - është ajo që po ndodh tani.

Mund të duket sikur jeta vazhdon, ashtu si edhe lufta në Gazë. Mund të duket sikur është shënuar një disfatë, me Izraelin dhe aleatët e tij që përballen me publikun dhe gjithë rendin botëror për ta çuar përpara luftën. Dhe, presidenca e Donald Trumpit ka përmbytur gjithçka me goditje të shumëfishta, nga ekonomia te politika. Por, kjo është një gjendje e turbullt dhe e paqëndrueshme, sepse ajo që po ndodh, për shumë njerëz është thjesht e padurueshme. Dhe, nëse protestat, dëshmitë dhe ballafaqimet mund të shpëtojnë edhe vetëm një jetë, apo ta afrojnë fundin e luftës qoftë edhe për një minutë, ato do të vazhdojnë.

Çdo trup i pajetë, çdo qytet i shndërruar në gërmadhë, çdo fëmijë i përgjakur nuk ekziston në një tokë të pashpresë dhe të largët, por brenda ndërgjegjes njerëzore. Sepse është e pamundur që një botë të shohë rrënimin e përditshëm të një populli dhe të frikësohet apo të lodhet aq sa të mësohet me të. Disa mund të zgjedhin ta injorojnë, ta justifikojnë apo edhe ta mbështesin - por, kurrë nuk mund ta normalizojnë. /Telegrafi/