Site icon Telegrafi

Perimet më të mira për t’u konsumuar në muajin shkurt

Nëse ka një sezon kur fermerët shqiptarë ulin ritmin e shfrenuar të punëve të vitit, ky është pikërisht sezoni i dimrit.

Por ka disa produkte që i gjejmë sot në treg e që janë të stinës; karota, sallata jeshile, lakra, lulelakra, brokoli, spinaqi apo ndonjë rrepë apo rrepka të vogla.

Stina e dimrit mund të jetë e ashpër, por me ushqimin e duhur përballohet gjithçka.

Ja se cilat janë perimet më të mira të këtij muaji:

Karotat

Karota njihet për vetitë e saj të dobishme kundër plakjes, kancerit, infeksioneve, sëmundjeve të zemrës e shumë të tjera. Shtoni karotat në ushqimin dimëror duke i konsumuar ato me supa, sallata dhe gatime të ndryshme e shumë të shijshme. Përveç cilësisë, çmimi është më i mirë.

Panxhari i kuq

Është i ëmbël, i shijshëm dhe ajo ngjyra e kuqe kthehet në domosdoshmëri për çdo tryezë. Një pjatë me panxhar të rikthen energjinë dhe ul tensionin. Panxharët e kuq janë të dobishëm dhe të shëndetshëm, madje njihen si afrodiziakë dhe i japin trurit mjaft energji.

Lakra

Lakra është një perime mjaft e shëndetshme për njeriun. Ajo është plot me vitamina, minerale, fibra, antioksidantë që sipas studimeve reduktojnë rreziqet nga kanceri.

Lulelakra

Lulelakra është e pasur në fibra dhe ujë. Për këtë arsye ajo lufton sëmundjet e lidhura me aparatin tretës. Ajo ndihmon dhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe obezitetit.

Një tjetër përbërës i lulelakrës, kolina, ndihmon në forcimin e memories, të muskujve si dhe ndihmon me problemet e gjumit.

Brokoli

Vitamina K që brokoli përmban është thelbësore për funksionimin e proteinave që ndikojnë në koagulimin e gjakut. Vitamina C ndikon në krijimin e kolagjenit, lëndës që formon indet trupore, kockat dhe ndihmon në shërimin e shpejtë të të prerave apo plagëve, shkruan AgroWeb.

Brokoli përmban edhe fibra, të cilat ndihmojnë sistemin tretës dhe ndikojnë në uljen e sasisë së kolesterolit në gjak. Ndërkohë që acidi folik që brokoli përmban është i nevojshëm për prodhimin e qelizave të reja në trup.

Spinaqi

Spinaqi njihet për vlerat e tij ushqyese dhe është parë gjithnjë si një bimë me aftësi të jashtëzakonshme për të të kthyer energjinë, që rrit vitalitetin dhe përmirëson cilësinë e gjakut.

Por, ka disa arsye pse spinaqi arrin të prodhojë rezultate të tilla. E para është se është i pasur me hekur, i cili luan një rol kryesor në funksionimin e qelizave të kuqe të gjakut, që ndihmojnë në transportin e oksigjenit në trup, në prodhimin e energjisë dhe në sintezën e ADN-së.

Exit mobile version