PDK-ja e dërgon në gjykatë vendimin e ZRRE-së: Po rrezikohen mijëra vende pune

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se do ta çojë në gjykatë vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili detyron mbi 1,300 biznese të kalojnë në tregun e hapur të energjisë elektrike.
Në një deklaratë për media, PDK ka shprehur keqardhje dhe indinjatë të thellë, duke e cilësuar këtë vendim si të padrejtë, të njëanshëm dhe me pasoja të rënda për ekonominë e vendit.
“ZRRE ka zgjedhur të mos jetë në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë, por në shërbim të interesave monopoliste. Ky vendim rrezikon mijëra vende pune dhe cenon rëndë stabilitetin ekonomik,” thuhet në reagim.
PDK paralajmëron se nuk do të ndalet me refuzimin administrativ dhe se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore, duke e çuar rastin në gjykatë.
“Lufta jonë është për të drejtat e bizneseve që mbajnë gjallë ekonominë dhe për punëtorët që jetojnë me rrogat e tyre. Ne do të kërkojmë drejtësi në emër të më shumë se 150 mijë punëtorëve të sektorit privat, të cilët sot përballen me rrezikun e humbjes së vendeve të punës për shkak të faturave të papërballueshme të energjisë.”
PDK akuzon ZRRE-në për mungesë të ndjeshmërisë sociale dhe përgjegjësisë shtetërore, dhe e fton publikisht të rishqyrtojë vendimin, për të mos i lënë pasojat mbi sektorin privat, që konsiderohet shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit.

































