Telegrafi

Pavarësia e Kosovës, e vërteta më e madhe e 2008

“Viti 2008 është viti i shqiptarëve. E vërteta më e madhe e këtij viti është se ai ishte viti i pavarësisë së Kosovës, si kurorëzim i një përpjekjeje mbinjerëzore, si një kryevepër e qëndresës së gjithanshme të shqiptarëve të Kosovës dhe kombit në tërësi, i cili, duhet ta pranoj, në një kuadër ligjor ndërkombëtar tmerrësisht të salduar dhe të konsoliduar, ia doli të shpallë pavarësinë”, ka thënë të hënën kryeministri Berisha, në takim e fundvitit me gazetarë.

Me këtë akt, sipas tij – shqiptarët fituan dinjitetin që e kishin të përgjysmuar, gjersa gjysma e tyre nuk ishte e lirë.

Ai po ashtu e ka cilësuar vitin 2008, si vit të shqiptarëve, madje siç u shpreh Berisha – një vit ndër më të mëdhenjtë në historinë e kombit. “Ky vit është viti kur Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit në NATO. Kjo ftesë ka rëndësi të shumëfishtë, por dy janë më kryesoret. Shqiptarët do të kenë mundësi si komb i lirë të ndërtojnë të ardhmen e tyre, të shkëputen nga historia e tyre e mbijetesës dhe të hyjnë në historinë e ndërtimit të lirisë. Së dyti, ky është gjithashtu një moment i madh, sepse pas disa shekujsh pushtimesh, copëtimesh e diktature, vendi kthehet në familjen e kombeve të lira perëndimore”.

Berisha premtoi se edhe viti 2009 do të jetë i suksesshëm për Shqipërinë. “Muajt e parë të vitit të ardhshëm, siç e kemi deklaruar, Shqipëria do të paraqesë kërkesën zyrtare për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Shpresoj të gjejmë mirëkuptim, sikundër jemi të vendosur të bëjmë të gjitha reformat dhe të plotësojmë çdo kërkesë të domosdoshme për statusin e kandidatit”.

“Dua ta ritheksoj se kemi pasur një vit të papërsëritshëm në histori, por parashikoj një vit sërish të madh, një vit siç do ta donim ne të gjithë”, përfundoi Berisha. /Telegrafi/