Telegrafi

Pas reshjeve të shiut zjarret në Oshlak vihen nën kontroll  

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka njoftuar se pas reshjeve të shiut mbrëmë, gjendja me zjarre të premten në pyjet e rrobullit në rezervatin strikt të natyrës në malin Oshlak dhe në zonën e gjerë të Prevallës është nën kontroll dhe se nuk paraqet ndonjë rrezik për përhapje masive.

“Megjithëkëtë, që nga orët e hershme të mëngjesit stafi i DAPK ”Sharri”, së bashku me një ekip të zjarrfikësve kanë dal në vendngjarje dhe janë duke e monitoruar gjendjen”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Një ditë më parë, Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” pat apeluar për ndihmë për shuarjen e zjarrit në pyjet në Oshlak.

“Për shkak të konfiguracionit të terrenit me rrezikshmëri të lartë, në pamundësi të intervenimit nga toka, ftojmë të gjitha institucionet si KFOR, FSK dhe institucione relevante për intervenim nga ajri me helikopterë dhe të ngjashme. Në të kundërtën gjendja me zjarret po merr përmasa katastrofale dhe me rrezikshmëri të lartë”, thuhej në njoftimin e DAPK “Sharri”. /Telegrafi/