Site icon Telegrafi

Pas dorëzimit të detyrës, Mehaj viziton Ambasadën e SHBA-së dhe Prekazin e Adem Jasharit

Pas dorëzimit të detyrës së ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj bashkë me ministrin e sapo emëruar në këtë pozitë, Ejup Maqedoncin, kanë vizituar Prekazin ku kanë bërë homazhe tek varret e Jasharajve.

Mehaj në një postim në Facebook, ka njoftuar për vizitën dhe homazhe tek varrezat e Jasharajve në Prekaz.

“Prekazi është vendi ku janë vënë themelet e ushtrisë sonë, komandanti legjendar Adem Jashari do të mbetët përherë komandanti i cili i prinë ushtrisë sonë, na prinë neve dhe i prinë popullit në idealet që kemi”, ka shkruar Mehaj.

Ai gjithashtu ka thënë se “rruga jonë drejt së ardhmes nisë nga Jasharajt e Prekazit”.

Paraprakisht, Mehaj, pas dorëzimit të mandatit të ministrit ka vizituar Ambasadën e SHBA në Kosovë ku ka zhvilluar një takim përshëndetës me ambasadorin Hovenier.

“Detyrën time nuk kisha se si ta përfundoj ndryshe përveçse me një takim të ngrohtë dhe përshëndetës me ambasadorin amerikan z. Hovenier dhe atasheun z. Mosley”, ka shkruar Mehaj, në një postim në Facebook.

“Falënderim per mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë për këto dy vite e gjysmë që kishim. Të gjitha kapacitetet e ushtrisë sonë janë ngritur në koordinim të plotë  dhe me ndihmën e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rrugëtimi im ka qenë vazhdimisht krah për krah ShBA-ve në proceset që kemi pasë përpara”, ka thënë ai.

Mehaj tha se “fjalët falënderuese të ambasadorit, për bashkëpunimin tonë, partneritetin, kultivimin e besimit, orientimin strategjik, partneritetin me ShBA-të dhe diplomacinë e zhvilluar, ishin mbresëlënëse për mua”.

“Në rrugëtimin tonë drejt të ardhmes ShBA-të do të mbeten partner strategjik i përhershëm”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version