Leotrim Kurteshi ka dhënë të enjten (25.07.2024) dorëheqje nga pozita e shefit të Urgjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Nagip Rexhepi”, në Gjilan, derisa ka ftuar të hetojë rastin e vdekjes së një pacienti për shkak të mos intervenimit me kohë të mjekut të urgjencës.
Lidhur me dorëheqjen e Kurteshit, ka reaguar Drejtoria e Shëndetësisë dhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Gjilan, duke thënë se i njëjti është shkarkuar nga detyra me datën 23.07.2024 për shkak të mungesës së bashkëpunimit.
“Dr. Leotrim Kurteshi, fillimisht njoftojmë qytetarët dhe të gjithë të interesuarit se i njëjti është shkarkuar nga kjo pozitë më datë: 23.07.2024, kryesisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe si rrjedhojë e menaxhimit jo të mirëfilltë të punës nga ana e tij dhe sipas arsyeve më tutje të specifikuara në Vendimin me nr. 04-1551”, thuhet në njoftimin e tyre.
Deklarimet e Kurteshit, drejtoria dhe QKMF i konsideron të pavërteta dhe të paqëndrueshme.
“Ndërkaq, është e çuditshme se si ish-ushtruesi i detyrës së Shefit të Urgjencës, sot më datë: 25.07.2024, dërgon e-mail me pretendimin se po jep dorëheqje, si dhe më pas publikon deklarata të pavërteta e të paqëndrueshme”, thuhet tutje në njoftim.
Në njoftim theksohet se stafi i Urgjencës së QKMF-së në Gjilan, ka paralajmëruar protestë, e cila sipas tyre është anuluar për shkak se të njëjtit janë takuar me kryetarin e Komunës.
“Pikërisht disa javë më parë, stafi i Urgjencës së QKMF-së në Gjilan, ka paralajmëruar protestë e cila është anuluar për shkak se të njëjtit janë takuar me kryetarin e komunës dhe kanë paraqitur pakënaqësitë e tyre ndaj mënyrës së menaxhimit të punës nga ana e ish-ushtruesit të detyrës së Shefit të Urgjencës”, thuhet tutje në njoftim.
Sa i përket ankesave të Kurteshit, i cili i kishte listuar në profilin e tij Facebook, nga drejtoria dhe QKMF thonë se për këto raste janë marrë masa të menjëhershme.
“Ky i fundit, ka paraqitur përmes e-mailit informacionet e tij për disa ngjarje të fundit në repart, për të cilat i është kërkuar nga ana e Drejtoreshës së Drejtorisë që të ndërmarrë masa të menjëhershme – sepse sipas pozitës që ka ushtruar, ka qenë ligjërisht kompetent për ndërmarrjen e masave të tilla. Menjëherë është mbajtur mbledhje edhe nga ana e Këshillit Drejtues të QKMF-së, për të trajtuar më gjerësisht thëniet e pretenduara”, thuhet në njoftim, duke theksuar se për të gjitha këto ekzistojnë prova e dokumente, prandaj sipas tyre nuk qëndrojnë pretendimet e paraqitura si të ashtuquajtura “heshtje”.
“Për të gjitha këto ekzistojnë prova, dokumente, raporte, shkresa e komunikime në formë të shkruar, prandaj aspak nuk qëndrojnë pretendimet e paraqitura për të ashtuquajturën “heshtje” të udhëheqësve të institucionit apo neglizhencë të trajtimit mjekësor”, theksohet në njoftim.
Ndryshe, për vdekjen e pacientët të cilin Kurteshi e ka bërë të ditur, në njoftim thuhet se menaxhmenti i QKMF-së ka kontaktuar familjarët e pacientit të ndjerë.
“Për më tepër, menaxhmenti i QKMF-së, ka kontaktuar me familjarët e pacientit të ndjerë të apostrofuar në deklaratë, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë ankesë dhe as nuk do të paraqesin ndonjë ankesë dhe se çdo tendencë për të përdorur rastin e familjarit të tyre për çfarëdo lloj qëllimi – është e papranueshme”, thuhet në njoftim, duke theksuar se rasti nuk ka qenë urgjent.
“Më tutje, sipas ekipit përgjegjës mjekësor, rasti në fjalë nuk ka qenë rast urgjent, por pacient me gjendje terminale paliative, të diagnostikuar me kancer, të cilit i është dhënë ndihma mjekësore, sepse pacienti ka qenë gjallë kur është vizituar. I njëjti veçse ishte liruar nga spitali për shkak se nuk ka pasur shpresë që gjendja e tij shëndetësore të ndryshoj për më mire”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/