Pentagoni denoncoi duke thënë se anijet e organizatës ushtarake të regjimit iranian kaluan disa metra larg, me njerëzit e tyre të gatshëm në pozicionin e zjarrit.
Njëmbëdhjetë anije të Marinës Revolucionare Islamike (IRGCN) iu afruan me rrezikshmëri anijeve të Marinës dhe Gardës Bregdetare të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik, thanë burimet ushtarake amerikane, duke i quajtur lëvizjet “të rrezikshme dhe provokuese”, transmeton Telegrafi.
Megjithëse ndërveprime të tilla ndodhnin herë pas here disa vjet më parë, ato ishin ndalur.
Ky incident, i raportuar të mërkurën, vjen në një kohë të tensioneve në rritje midis dy vendeve.
Sipas një deklarate të Pentagonit, anijet iraniane iu afruan anijeve ushtarake amerikane ndërsa kryenin operacione integrimi me helikopterët e ushtrisë në ujërat ndërkombëtare.
Në një moment, anijet persiane afroheshin më pak se 10 metra nga anija e Rojes Bregdetare të SHBA-së.
Një video e publikuar në orët e fundit tregon momentin kur shihen trupat iraniane në pozicionet e qitjes.
Anijet amerikane lëshuan paralajmërime të ndryshme me radio. Anijet iraniane u nisën pas një ore.
Përgjigja iraniane erdhi këtë të premte. Ministri i Mbrojtjes gjeneral Amir Hatami e konsideroi “praninë e paligjshme” të trupave amerikane në Gjirin Persik si arsyen kryesore për çdo incident.
“Ajo që çon në pasiguri në rajonin e Gjirit Persik është prania e paligjshme dhe agresive e amerikanëve” , tha ministri i mbrojtjes në deklaratat për shtyp gjatë një sfilate në Teheran me rastin e Ditës së Ushtrisë.
Autoritetet iraniane kanë këmbëngulur që forcat amerikane duhet të largohen nga zona. /Telegrafi/