Fenerbahce po luan në mënyrë spektakolare këtë sezon dhe kanë 18 fitore në po aq ndeshje të luajtura, ndaj nuk është çudi që e gjithë bota po shkruan për sukseset e tyre.
Nëntë fitore në Superligën e Turqisë dhe nëntë fitore në garat evropiane, duke përfshirë edhe kualifikimet.
Fenerbahce ka regjistruar fillimin e tyre më të mirë ndonjëherë dhe tifozët me të drejtë shpresojnë t’i japin fund serisë katastrofike prej 10 vitesh pa titull, që është shumë e gjatë për klubin më të trofeshëm të Turqisë.
Lavdërimet vijnë nga të gjitha anët, madje edhe anglezët janë të mahnitur me lojërat e Fenerbahçes. Daily Mail ka shkruar për ndeshjet e mëdha të Fenerbahces këtë sezon.
“Njihuni ndoshta me skuadrën më të mirë në Evropë. E mbushur me lojtarë të Ligës Premier, që u larguan nga Manchester United, Chelsea, Bournemouth dhe Southampton, ky klub i ka fituar të gjitha 18 ndeshjet këtë sezon”, thuhet në titullin e Daily Mail.
Në tekst thuhet se skuadra e Fenerbahçes përbëhet nga lojtarë që kanë luajtur në Ligën Premier, si Fred (Manchester United), Joshua King (Bournemouth), Michy Batshuayi (Chelsea), Dusan Tadic (Southamphton) dhe Edin Dzeko (Man City).
Sebastian Szymanski, Ferdi Kadioglu, Irfan Can Kahveci, Ismajl Yuksek, Rodrigo Becao dhe Domenik Livakovic janë disa nga emrat e tjerë që po shkëlqejnë këtë vit te Feneri.
Daily Mail ka ndarë edhe një rubrikë të veçantë për Dzekon ku thuhet se edhe në moshën 37-vjeçare nuk ndalet së shënuari gola.
37 vjeçari ka shënuar nëntë gola dhe ka dhënë shtatë asistime që nga ardhja e tij te Fenerbahce.
Trajneri Ismail Kartal ka merita të mëdha për këtë ecuri të Fenerbahces që nga shumë llogaritet edhe si favorit për të triumfuar në Ligën e Konferencës, por qëllimi i gjigantit turk është kampionati vendor. /Telegrafi/