Njihen pensionet e emigrantëve në Gjermani

Sekretari i Shtetit Gjerman për Mbrojtjen Shoqërore, Asmussen shpjegoi se marrëveshja për pensionet lidhet me përllogaritjen e të gjitha periudhave të sigurimit social të punëmarrësve qofshin këta gjermanë apo shqiptarë. “E thënë në terma më konkretë, nëse një punëmarrës shqiptar apo punëmarrës gjerman punon për një periudhë 5-vjeçare, 2 prej tyre në Gjermani dhe 3 prej tyre në Shqipëri, periudhat e sigurimeve shoqërore do të kenë mundësi të llogariten në pretendimet e tij për pension”, sqaroi Asmussen, duke shtuar se ky është një hap i madh për bashkëpunimin e dy vendeve në politikat social-ekonomike dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
Për Klosin, nënshkrimi i një dokumenti të tillë, për qytetarët shqiptarë dhe gjermanë që jetojnë dhe punojnë në vendet respektive, është një mundësi përfitimi për njohjen e viteve të punës dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore, si në përllogaritjen e pensioneve, ashtu edhe në përfitimin e shërbimeve të tjera sociale.
“Kjo është një ditë shumë e gëzuar për të gjithë emigrantët shqiptarë në Gjermani, ata të cilët kanë punuar prej shumë vitesh në Shqipëri e tashmë vazhdojnë të punojnë në Gjermani, apo ata që kanë punuar në Gjermani dhe tani janë kthyer në Shqipëri, pasi nëpërmjet kësaj marrëveshjeje ne iu japim atyre të drejtën që këto pensione të njihen në të dyja vendet dhe kontributet e viteve të punës të mos humbasin”, tha ministri Klosi.
Po ashtu, ai bëri të ditur se marrëveshja konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. “Rregullat koordinuese garantojnë që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke u fituar. Bashkimi i periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare të ndryshme do të merren në konsideratë për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre”, shtoi ministri Klosi. /Telegrafi/





















































