Site icon Telegrafi

Nga Sex Pistols te balada post-punk për Eurovizionin

John Lydon, i njohur më shumë si Johnny Rotten, dhe gruaja e tij Nora (që vuan nga alzheimeri), për të cilën ka shkruar këngën me të cilën synon të marrë pjesë në Eurovizion

LEXO PO ASHTU: E di ç’do të thotë të jesh i tmerruar

Nga: Jude Webber / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Mos fol pa lidhje; këtu është ish-lideri i grupit Sex Pistols [Never Mind the Bollocks, Here’s the Sex Pistols – frazë që bazohet te titulli i albumit të vitit 1977 i grupit Sex Pistols – shën. i përkth.], Johnny Rotten, me ofertën për ta kaptuar sërish establishmentin.

Por, jo me britmat dhe me flokët si kaçuba të rinisë së vet. Gati gjysmë shekulli pasi e vendosi punk rock-un në hartë, këngëtari me origjinë britanike po kërkon ta përfaqësojë Irlandën në Eurovizionin e këtij viti.

Tingëllon si tallje me një ngjarje ndonjëherë të lodhshme – edhe pse është ngjarje të cilën Irlanda e vlerëson dhe në të ajo cilën ka shkëlqyer. Por, nuk është kështu: John Lydon, emri i vërtetë i Rottenit, po hyn me një baladë prekëse për gruan e vet Nora që ka alzheimerin.

Me refrenin evokues, Më kujto, të kujtoj ty, Hawaii është poezi post-punk – shumë larg nga këngët pop që nuk kanë vlerë artistike apo sociale [schlock] dhe ato sentimentale deri në mërzitje [schmaltz] që zakonisht ofrohen.

Lydoni dhe grupi i tij Public Image Ltd, më 3 shkurt do të përballen me pesë kandidatë tjerë në transmetuesin irlandez RTÉ, ku një juri në studio, juria ndërkombëtare dhe publiku do të telefonojnë që ta zgjedhin kandidatin përfaqësues.

I lindur në Londër nga prindërit irlandezë, Lydoni flet me zhargonin e Londrës lindore [cockney], ka pasaportë irlandeze dhe e di mirë se sa i papërshtatshëm duket inkursioni i tij.

Ai tha për RTÉ se nuk e ka parë kurrë Eurovizionin sepse “është absolutisht i tmerrshëm … Jam kantautor, interpretoj dhe këto shfaqje janë thjeshtë shumë të frikshme për mua. Por, shiko, po shkojmë tutje, po ia japim një shans për të dalë nga ky kallëp”.

Irlanda ka rrezikuar edhe më parë: në vitin 2008 një kukull e njohur nga televizioni e quajtur Dustin the Turkey, u fut me këngën ku ankohej se Irlanda – e cila deri atëherë kishte rekordin prej shtatë çmimeve në Eurovizion – kishte humbur prekjen e saj të Midës [Mbreti Midas – sipas mitologjisë greke – që gjithçka që prekte e kthente në ar – shën. i përkth.]. Dështoi.

Por, “historia e vërtetë” e Hawaii-t e bën të jetë bindëse, kjo sipas David Blake Knoxit, kreut të programit zbavitës në RTÉ në vitet 1990-‘94 dhe autor i librit Irlanda dhe Eurovizioni: Fituesit, Humbësit dhe Turqia [Ireland and the Eurovision: The Winners, the Losers and the Turkey].

Ukraina fitoi garën e vitit të kaluar pas shtimit të simpatisë publike të votuesve me telefonata. Tradicionalisht, vendi do të mirëpriste garën e këtij viti, por për shkak të pushtimit të Rusisë, Mbretëria e Bashkuar më 9-13 maj në Liverpul organizon Eurovizionin e këtij viti në emër të Ukrainës.

“Këngët e Eurovizionit mund të shkojnë nga veprat e sinqerta deri tek ato më të rejat, shumica e të cilave janë torturuese”, thotë Blake Knox. “Është shumë e vështirë të flasësh për diçka si [alzheimeri], por Hawaii është këngë e ëmbël, e besueshme dhe bindëse”.

Ka kadencë dhe vargje të dashura përsëritëse, përfshirë atë “epo, përshëndetje” dhe “je e dashur”. Thjeshtësia mund të jetë përparësi e Eurovizionit: artisti spanjoll Massiel e mundi britanikun Cliff Richard duke fituar në vitin 1968 me një këngë që përmban 138 herë fjalën “la”.

Irlanda ka qenë e lidhur me Eurovizionin që nga pjesëmarrja e saj e parë në vitin 1965, teksa po hapej ekonomia e vogël rurale. Me anëtarësimin tetë vjet më vonë në atë që do të bëhet Union Evropian, Eurovizioni ia mundësoi të ndjehej më moderne.

“Është disi sikur bëhesh anëtare zyrtare e klubit”, kujton Dana, e cila në vitin 1970 fitoi vendin e parë për Irlandën me këngën All Kinds of Everything.

Irlanda fitoi edhe gjashtë herë të tjera në vitet 1980 dhe 1990 dhe mahniti audiencën në vitin 1994 me shfaqjen befasuese në interval të [trupës së valltarëve] Riverdance. Por, më pas erdhi mendjemadhësia. “Filluam të mendojmë se e kemi të drejtën për të fituar”, thotë Blake Knox.

Ai e mirëpret hyrjen e Lydonit që vjen nga “diaspora irlandeze që nuk është përfaqësuar kurrë si duhet – anglo-irlandezët ose ata që shtiren si irlandezë [Paddies Plastic]”.

Lydoni e pranon se e ka kënduar Hawaii-n në shtëpi në Los Anxhelos, teksa pastron dhe kujdeset gjatë gjithë kohës për Noran – me qëndrimin që e ka quajtur “asnjë keqardhje për veten” [“No. Self. Pity”]. Pasi si fëmijë meningjiti e futi atë në gjendje kome për disa muaj dhe e la të paaftë për të kujtuar apo për të folur, e di nga përvoja e vet ndjenjën e të qenit i humbur në jetë. Hawaii u frymëzua nga pushimi i preferuar dhe Lydon tha se Nora do të “shkrihet” kur ta shohë performancën e tij në TV.

Pavarësisht se u bë fëmija i tmerrshëm i skenës muzikore pas interpretimit të këngës Zot, ruaje mbretëreshën [God Save the Queen] që u censurua nga BBC, Lydoni 67-vjeçar gjithmonë i ka bërë të dukshme ndjenjat e veta kur është fjala për gruan që e ka për gati pesë dekada, të cilën ai e quan “gruaja përfundimtare”.

Ai po i afrohet Eurovizionit me një sens të humorit freskues, me një dozë të madhe ironie dhe me emocione të pandërgjegjshme. Por, siç ka shkruar në një nga autobiografitë e veta, Zemërimi është një energji [Anger is an Energy]: “Ideja ime për punk-un është njerëzimi”. /Telegrafi/

Exit mobile version