Site icon Telegrafi

Nënshkruhet marrëveshja për financimin e magjistrales Prishtinë – Mitrovicë me vlerë 13 milionë euro

Sot u mbajt ceremonia e nënshkrimit për financimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë, ku ishin prezent Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, drejtori Ekzekutiv i Fondit Saudit për Zhvillim, Sultan A. Almarshad si dhe ambasadori jo-rezident i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Kosovë, Faisal Ghazi Hifzi.

Sipas një njoftimi për media Murati tha se me nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë përmbyllet edhe pjesa e mbetur e financimit të projektit për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugës Prishtinë- Mitrovicë.

Ministri Murati theksoi përkushtimin e Qeverisë për të thelluar marrëdhëniet me Mbretërinë e Arabisë Saudite drejt investimeve në sektorin e infrastrukturës dhe sektorë të tjerë me rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit.

Nga ana e tij, Ministri Aliu tregoi se ky projekt synon modernizimin e rrugës dhe vjen në linjë me punët dhe prioritetet e Qeverisë të cilat çdo herë synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ministri Aliu gjithashtu theksoi se ky projekt është i pari projekt infrastrukturor në Kosovë që mbështetet nga Fondi Saudit për Zhvillim dhe se synohet që pas këtij projekti, partneriteti të thellohet edhe më tej.

Ndërsa, drejtori Almarshad përmendi bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë e Kosovës duke theksuar se projekti për financimin e magjistrales “Prishtinë – Mitrovicë” parasheh zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës nacionale duke e zvogëluar kështu edhe trafikun.

Drejtori falënderoi Qeverinë për mirëpritjen duke përmendur edhe njëherë rolin e projektit për zhvillimin ekonomik të vendit. /Telegrafi/

Exit mobile version