Site icon Telegrafi

Në vjeshtë pritet të fillojë së zbatuari plani i sigurisë në shkollat e Prishtinës

Komuna e Prishtinës tash e një vit është duke punuar rreth planit të sigurisë së shkollave në kryeqytet. Drejtuesit e shkollave e mirëpresin këtë ide, pasi nxënësit do të ndihen më të sigurt.

Plani për sigurinë në shkollat e kryeqytetit është në prag të finalizimit.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati tha se ka një vit që është duke u punuar lidhur me këtë projekt, derisa përmendi tri objektivat e këtij plani.

“Objektiva e parë është infrastruktura fizike dhe përmirësimi i saj sa i përket çështjeve të sigurisë në shkolla. Objektiva e dytë është përmirësimi i klimës në shkollë. Ky objektiv është shumë i rëndësishëm sepse do të përmbajë në vete aktivitete që do të krijojnë grupe brenda shkollës që e luftojnë bullizmin dhe e bëjnë raportimin e dhunës në mënyrë më efikase. Objektiva e tretë është siguria aktive e fëmijëve nga shkolla në shtëpi dhe anasjelltas”, ka thënë Musmurati për RTK-në.

Nga drejtuesit e shkollave në kryeqytet ky plan është duke u mirëpritur.

“Për shkollën tonë shqetësuese mbetet hyrja në oborrin e shkollës. Është një fyt i ngushtë ku frekuentojnë diku 650 nxënës, pa përfshirë prindërit që sjellin fëmijët. Problem mbetet edhe furnizimi, e po ashtu nëse shtrohet nevoja edhe qasja e autoambulancës apo e zjarrfikësve. Do të ishte mirë që ky plan ta përfshijë edhe perimetrin përreth institucionit tonë që mbetet brengë e madhe për neve”, tha Visar Osmani, drejtor i shkollës “Emin Duraku”.

Edhe në shkollën “Afrim Gashi” e cilësuan shumë të nevojshëm këtë plan dhe presin që ai të jetë i zbatueshëm.

“Në shkollën tonë ky plan ka marrë vëmendjen e posaçme prej kur ka dalë në diskutim. Duke u nisur prej asaj që shkolla është institucion edukativo-arsimor, ky plan sidomos në aspektin edukativ është shumë i mirëseardhur”, tha Xhevat Rafuna, drejtor i kësaj shkolle.

Plani për sigurinë në shkolla në komunën e Prishtinës pritet të fillojë së zbatuari në shtator.

Exit mobile version