LAJMI I FUNDIT:

Në cunamin e informacioni ku gënjeshtra publikohet si e vërtetë

Në cunamin e informacioni ku gënjeshtra publikohet si e vërtetë
Ilustrim

Në oqeanin e sotëm të informacionit ku lundrojmë të gjithë, është bërë shumë e vështirë të orientohesh drejt të vërtetës. Ndikimi i medias mbi publikun është i lidhur edhe me rolin e gazetarëve, sidomos kur bëhet fjala për çështje të ndjeshme që duan një formim minimal në një fushë të caktuar.

Lajmi ose përçohet drejt publikut nëpërmjet “lajmëtarëve” ose gazetarëve. Problematika krijohet kur komuniteti për të njëjtën ngjarje “bombardohet” nga versione pa fund ose kur lajmi deformohet për shkak të mosdijes ose qëllimisht.

Televizioni dhe portalet janë në konkurrencë, ashtu si radio me televizionin dekada më parë. Pak shpresa ka nëse do të ekzistojë lajmet/opinionet në televizion pas pak dekadash, kur sot brezi i ri e ka braktisur masovikisht ekranin. Ky është problem i kanaleve televizive të cilat – në Shqipëri – për momentin kanë nivel të ulët besueshmërie tek brezi i ri.


Nga ana tjetër, portalet janë të shumta. Në konkurrencë dhe nën presionin për të mbijetuar ato në shumë raste përcjellin broçkulla pa fund drejt opinionit publik. Do t’i referohem disa lajmeve të medias televizive për të ilustruar fenomenin, por edhe për të nxitur kolegët, ekspertët ose ata që konsumojnë këto lajme, që të reagojnë për të mbrojtur interesin publik.

Para disa ditësh dëgjohet në një televizion se buka në Shqipëri është deri 70 herë më e shtrenjtë krahasuar me vendet e tjera të Evropës ose të botës. Viktimë e këtij lajmi bëhen jo vetëm publiku, ata qe e marrin si të vërtetë lajmin që vjen nga ekrani i televizioneve, por edhe politikanët e nivelit më të lartë. Si ka mundësi që “lajmëtarët” janë kaq të dobët në aritmetikë kur një kilogramë bukë në vendet e Evropës tregtohet deri në disa euro ose disa herë më shtrenjtë se në Shqipëri.

Në fakt është e kundërta. Buka ende është një nga produktet disa herë më të lira në Shqipëri, ndërkohë që lënda e parë – mielli – është në bursë ashtu si nafta, gazi ose kafja. Gazetarët nuk përfillin punën e natës të qindra ose mijërave furrtarëve të cilët përcëllohen dhe paguhen me pagën minimale. Kjo është arsyeja e çmimit të lirë të bukës në Shqipëri.

Çfarë do të ndodh nëse këta njerëz të paguar keq do të emigrojnë dhe sektori i prodhimit të bukës do ta ketë të pamundur të gjejë punonjës në vitet që vijnë, ashtu si në sektorin e bujqësisë dhe të ndërtimit. Çfarë përgjegjësie ka gazetari ose kanali televiziv për mashtrimin e publikut.

Një lajm tjetër të befason kur një shoqatë në edicionin qendror të një televizioni e jep lajmin se në Shqipëri produktet bujqësore janë të mbingarkuara disa herë më shumë me mbetje pesticidesh. Ky është kulmi. Të penalizosh produktin e vendit me dy mostra të marra në farmacitë bujqësore, nga një OJQ, është e pafalshme për gazetarin, median dhe institucionet që nuk reagojnë. Nëpërmjet dy mostrave të rastësishme të marra në terminalin e rrjetit të shpërndarjes, pretendohet se ato përfaqësojnë disa mijëra tonelata inpute që përdoren çdo vit në bujqësi. Si ka mundësi që lajmi i prodhuar në një garsioneri të Tiranës, jepet me kompetencë nga një lajmëtar që lexon pa referenca të besueshme dhe nuk kupton çfarë thotë. Si ka mundësi që një lajm i tillë përdhos pa mëshirë ata mijëra fermerë që janë rreshkur për muaj me radhë për të nxjerrë në treg frutat dhe perimet e mrekullueshme të cilat ne i konsumojmë me çmimet më të ulëta në Evropë, për shkak të bollëkut dhe djersës së këtyre njerëzve të mrekullueshëm.

Një falje publike nuk mjafton. Këtu duhet të ketë dhënie llogarie dhe përballje me ligjin. Pa folur për fushatën antivaksinim, teoritë konspirative të përcjella – nga persona që nuk kanë lidhje me mjekësinë ose shkencat biologjike – nëpërmjet televizioneve kombëtare. Te habit fakti se si këta njerëz gjejnë hapësirë, pa fund.

Lajmi është përcjellë nga një vend në tjetrin, nga një kohë në tjetrën qëkur njeriu erdhi në këtë botë, por kur ai ndryshohet me ose pa dashje, nuk quhet më lajm po gënjeshtër dhe ata qe e ndryshojnë quhen mashtrues. Universiteti ka shansin historik që të bëhet busulla për orientimin e publikut në këtë cunam informacioni pa ngjyrë e pa shije ku gënjeshtra publikohet si një e vërtetë. /Gazeta “Shqip”/