Dje janë bërë 19 vite, përkatësisht më 24 prill të vitit 2005, ishte publikuar videoja e parë në YouTube.
Bëhet fjalë për videon e Jawed Karim, njërit prej themeluesve të kësaj platforme, transmeton Telegrafi.
Videoja është titulluar “unë në kopshtin zoologjik”, e gjykuar nga pamjet mund të shihni edhe vet se për çfarë bëhet fjalë.
Videoja ishte vetëm 18 sekonda e gjatë dhe natyrisht se nuk kishte rezolucion të lartë, efekte apo gjëra të ngjashme që sot janë të zakonshme.
Pavarësisht kësaj, sot ka mbi 317 milionë shikime kjo video e shumëpërfolur e njërit prej të parëve të YouTube.
“Ja ku jemi, para elefantëve. Gjëja e mirë tek ata është që kanë hundë të gjatë, kjo është ‘cool’. Kjo është përafërsisht e gjitha çfarë dua të them”, thotë Karim.
Përveç 317 milionë shikimeve, videoja ka edhe mbi 16 milionë pëlqime. Në fakt është videoja e vetme që Karim kishte publikuar në kanalin e tij edhe pse ka mbi 3 milionë abonues. /Telegrafi/