Milani i Paulo Fonsecës nuk ka të ndalur në fazën përgatitore, duke i mposhtur radhazi kundërshtarët.
Rossonerët kanë triumfuar edhe ndaj Barcelonës me rezultat 3-4 pas ekzekutimit të penalltive, pasi 90 minutat u mbyllen baras 2-2.
Para katalunasve, Milani ka triumfuar edhe ndaj dy gjigantëve të tjerë evropian si Manchester Cityt dhe Real Madridit.
Paulo Fonseca ka mbetur shumë i lumtur me fitoren ndaj Barcelonës, megjithatë thotë se skuadra ende duhet përmirësuar.
“Jam shumë i kënaqur me lojtarët, për kurajën që tregojnë, për mënyrën si luajnë. Tashmë i kemi objektivat të qartë, pas katër javësh nuk është e lehtë. Djemtë kanë qenë fantastikë në javët e fundit”.
“Kemi shumë për të përmirësuar, por ne po bëjmë hapat e duhur. Turneu ishte shumë, shumë pozitiv, ndjesitë ishin shumë të mira”, ka thënë Fonseca.
Tutje ai ka folur edhe me emra për lojtarët që i kanë lënë përshtypje.
“Pulisic luajti një ndeshje fantastike për mua, ai luajti si numër 10 në pjesën e parë dhe mund të luajë kudo në sulm, ai është shumë, shumë inteligjent. Më pëlqeu ta shihja atje dhe Saelemaekers si mbrojtës të krahut”.
“Torriani? Për të mund të them vetëm gjëra të shkëlqyera, nuk kam fjalë për të, është shumë herët por nuk kam asnjë dyshim që kemi një portier për të ardhmen”, deklaroi Fonseca. /Telegrafi/