LAJMI I FUNDIT:

“Mirushin” nuk e shpëton dot Mirushi

“Mirushin” nuk e shpëton dot Mirushi

"Mirushi" e ka mbushur plot sallën e kinemasë “Aleksandër Moisiu” në Durrës, për të cilin erdhën enkas edhe shumë spektatorë shqiptarë nga Maqedonia. Ky publik është treguar i ndjeshëm sidomos ndaj lojës së aktorit 17-vjeçar Nazif Muharremi, në rolin e Mirushit.

Filmi i regjisorit norvegjez Marius Holst trajton një temë të rëndë të realitetit shqiptaro-maqedonas, por që përgjithëson fatin e shumë shqiptarëve rrugëve të mërgimit, të cilët nisen nga ëndrrat për të bërë realitet një jetë më të mirë, por që rrugës pësojnë aksidente shpirtërore, të rënda madje, aq sa të kthehen në makina krimi që i shfytyron si njerëz.

Drama që trajton skenari i filmit e shpie një vogëlush nga Kosova deri në Norvegji në kërkim të të atit, i cili realisht pasi ka ikur në mërgim e ka braktisur plotësisht familjen. Mirushi e gjen veten në një rreth personazhesh dikensianë si tek “Oliver Tuisti”.

Marius Holst i ka mëshuar anës më të zezë e më të pashpirt të këtij realiteti aq sa t’i prishë ekuilibrin “Mirushit”, duke krijuar kontrast të personazhit kryesor me këtë ferr të realitetit të jetës në mërgim.


Filmi hedh me dozë të tepruar një mjegull të errët mbi reputacionin e shqiptareve në botën e lirë, ku sipas skenarit, kontingjente të krimit të organizuar merren me tregje të pista e vrasin e presin lirshëm, pa rënë në sy të mekanizmave të një prej shteteve më të organizuar të kontinentit evropian.

Është vlerësuar shumë 17-vjeçari Nazif Muharremi për interpretimin fin, duke u cilësuar një talent që me intuitë ka ditur të thyejë kufijtë mes aktorëve profesionistë dhe amatorë. Asnjë gjest i vogël, nuk u vu re në lojën e Muharremit për të na dhënë të kuptojmë se është fillestar. Ai është nxënës në vitin e tretë të një shkolle të mesme biznesi në Shkup dhe shpreson që në të ardhmen të vazhdojë karrierën në kinema. Megjithatë, talenti i Mirushit nuk mund të shpëtojë gjithë “Mirushin”. /shekulli/telegrafi/