LAJMI I FUNDIT:

Miratohet koncept dokumenti për kompensimin e viktimave të krimit, i hartuar dhe iniciuar nga Ministria e Drejtësisë

Miratohet koncept dokumenti për kompensimin e viktimave të krimit, i hartuar dhe iniciuar nga Ministria e Drejtësisë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Koncept Dokumentin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, i cili është hartuar dhe iniciuar nga Ministria e Drejtësisë në mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Kompensimi i viktimave të krimit është shtyllë kruciale e sistemit të drejtësisë në çdo vend, e Kosova nuk përbënë përjashtim.

“Përmes këtij Koncept Dokumenti, Ministria e Drejtësisë ka paraparë rregullimin e çështjes së kompensimit të viktimave të krimit, për shkak se kanë ekzistuar mangësi ligjore të cilat jo vetëm që e kanë vështirësuar qasjen e viktimave në programin e kompensimit, mirëpo edhe e kanë cenuar dinjitetin e tyre.


Ky Koncept Dokument ofron një analizë të thukët e cilësore mbi programin e kompensimit të viktimave të krimit në vend dhe problemeve që ekzistojnë në kuadër të kornizës legjislative e cila rregullon fushën në fjalë.

Në mbështetje të kësaj analize, Koncept Dokumenti propozon ndryshimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave, gjegjësisht të dispozitave që rregullojnë veprat e kompensueshme, kushtet formale dhe materiale për kompensim, qasjen e menjëhershme në kompensim, obligimin për të kërkuar dëmshpërblim, llojet e kompensimeve, afatet ligjore, etj.

Ministria e Drejtësisë shpreson se ky Koncept Dokument do të sjellë përmirësime të dukshme në fushën e kompensimit të viktimave të krimit, andaj si të tillë beson që do të gjej mbështetjen edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

Ministria e Drejtësisë në linjë me Planin Vjetor të Punës së Qeverisë dhe në zbatim të objektivave strategjike të parapara me Planin e saj Zhvillimor Strategjik, ka iniciuar procesin e hartimit të Koncept Dokumentit për Kompensimin e Viktimave të Krimit. /Telegrafi/