Merlaku, mes ofertave dhe Dukagjinit

Futbollisti Altin Merlaku ka marrë shumë oferta nga skuadrat e ndryshme në Kosovë, por ai ende është i pavendosur për të ardhmen.
Aktualisht sulmuesi preferon të mbetet te skuadra Dukagjinit nga Klina, por nëse nuk kryhen obligimet ndaj tij, mund të ndryshojë gjithçka.
“Kam oferta nga shumë klube me emër, por aktualisht jam i përqendruar te skuadra e Dukagjinit, me të cilën synojmë inkuadrimin në Raiffeisen Superligë. Jam optimist për rezultatet në të ardhmen e skuadrës”, ka thënë Merlaku për “Epokën e re”. Futbollisti i cili në të kaluarën pati arritur marrëveshje me Prishtinën, por që nuk i mbrojti ngjyrat e kësaj skuadre për shkak të kontratës që kishte me skuadrën e Dukagjinit, është treguar i sinqertë kur është pyetur për klubet që po e kërkojnë. Dy oferta i ka nga Liga e Parë e dy nga Superliga.
“Ofertat nga Liga e Parë i kam prej Vëllaznimit dhe Trepçës, kurse nga Superliga më kanë kontaktuar Gjilani dhe Prishtina. Janë oferta mjaft joshëse, por jam i përqendruar plotësisht te Dukagjini”, ka deklaruar ai.
Altin Merlaku, i cili konsiderohet një nga sulmuesit më të mirë në vend, gjatë sezonit vjeshtor ka shënuar 8 gola dhe në një ndeshje nuk është paraqitur fare.
“Jam i kënaqur me rezultatet e skuadrës në sezonin vjeshtor dhe me paraqitjet personale. Bashkëlojtarët janë meritorë për golat që kam shënuar”, ka deklaruar ai. Altin Merlaku me skuadrën e Dukagjinit nga Klina pozicionet në pozitën e pestë me 28 pikë dhe ka vetëm gjashtë pikë më pak se skuadra e parë në tabelë.





















































