Site icon Telegrafi

“Mbreti vdiq, rroftë mbreti Leka!”

Roland Qafoku

Ahmet Zogu ishte mbreti dhe të gjithë pas tij nuk kishin nevojë të luftonin për famë dhe tituj. Nipër, mbesa, kushërinj e kushërira, ishin princër e princesha. Ishin qendra e Shqipërisë dhe e shpurës mbretërore. Megjithatë, vetëm një prej tyre bënte përjashtim. Princ ishte edhe ai, por një princ më i denjë se të gjithë të tjerët. Studioi dhe u diplomua për kimi. U bë inxhinier dhe i zoti i vetes. Ky është Skënder Zogu, djali i Xhelal Zogut, vëllait të mbretit Ahmet Zogu. Një personazh po aq i njohur sa edhe i panjohur për Shqipërinë dhe shqiptarët. Falë edhe formimit të tij, ai ka bërë diçka tjetër që nuk e ka bërë asnjë princ e princeshë e familjes Zogu. Ka botuar një libër me kujtime. Deri më sot kemi parë, dëgjuar, lexuar të shkruar gjithfarësoj histori në gazeta, shkrime dhe libra pa fund, për familjen mbretërore.

Të mirë dhe të këqij, të saktë dhe gënjeshtarë. Profesionistë dhe a profesionistë. Nga të huaj dhe shqiptarë. Por tashmë ngjarjet, faktet, detajet, vijnë nga një sy brenda këtij oborri, vijnë nga mendja dhe dora e Skënder Zogut. Një libër që, në fakt, mungonte në radhën e librave të historisë së mbretërisë. Jeta e familjes mbretërore në Tiranë, largimi nga Shqipëria më 6 prill 1939, jeta në mërgim, vdekja e mbretit Zog, jeta e Leka Zogut dhe pikëvështrimi i shumë e shumë ngjarjeve nga ky mërgim i hidhur, që kësaj familjeje i dha statusin e një familje mbretërore dhe nën vete, kishte titujt princër, princesha, por që këta tituj i kushtuan aq shumë vuajtje. Një histori aq e trishtuar që Skënder Zogu e ka treguar me mjeshtëri dhe me ndihmën e përkthyesit Lazër dhe redaktores Diana Çuli.

Është një libër i cili bën që historia të vihet në lëvizje. Nuk kishim deri më sot ndonjë libër me kujtimet e Ahmet Zogut; as me kujtimet e mbretëreshës Geraldinë, e as të djalit të tyre, princin Leka, e as të nipit Leka II. Djali i vëllait të Ahmet Zogut, Skënder Zogu, ka prishur rregullin.

Kanë shkaktuar debate dhe sherre gazetash disa ngjarje të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Por, si i ka parë Skënder Zogu?

Janë katër histori që Skënder Zogu na sjell të gjalla. E para lidhet me momentin e vdekjes së mbretit Zog, moment në të cilin ai ka asistuar. E dyta vjen për një sulm me dinamit që dy studentë shqiptarë i bënë varrit të Ahmet Zogut, për të grabitur kufomën. E treta ka të bëjë me historinë e bandës së Xhevdet Mustafës. E katërta ka të bëjë me historinë e romanit “Mërgata e Qyqeve” të Nasho Jorgaqit.

Për vdekjen e Ahmet Zogut, Skënder Zogu rrëfen atë moment që ai ndodhej dëshmitar. Kurrë më parë nuk kemi patur një përshkrim të atyre momenteve. Ja si e përshkuan ai në libër:

“Pak çaste më vonë, mbërriti mbreti i veshur me tepër sqimë si zakonisht, e me cigare në dorë. E shoqëronin princeshat Sanije dhe Myzejen. Kur më pa, më mori në krah dhe më tha: Biri im, ti na ke nderuar dhe jam krenar për ty… Më zgjati një cigare të cilën për respekt ndaj tij nuk më behej ta ndizja. Sytë i kisha të përlotur dhe nuk gjeja fjalë për ta falënderuar për tërë atë që kishte bërë për mua. Më dhimbte shpirti, pasi dukej qartë se po luftonte me një sëmundje të rëndë. I ndërgjegjshëm për mallëngjimin e tij, i shpreha mirënjohjen… Shëndeti i mbretit u rëndua dhe çdo të shtunë shkoja në spitalin Foch në Suresnes, për ta takuar. Hallat u vendosën në një hotel të vogël, në një rrugë aty pranë, dhe i rrinin gjithë natën te koka. Mbreti vuante dhe pash se si po shuhej pak nga pak. Të hënën më 9 prill 1961, më kapi ankthi. Ali Çupi, një prej oficerëve, më tha: Bubi, eja shpejt, mbreti po na lë! Kështu, buzë shtratit të tij, pashë se si u shua dhe e putha në ballë. Hallat qanin, Leka i mbante duart, ndërsa mbretëresha lutej në gjunjë përpara shtratit. Kolonel Hysen Selmani, sipas traditës, bërtiti në dhomë: Mbreti vdiq, rroftë mbreti Leka!”

Sulmin e varrit të Ahmet Zogut, Skënder Zogu e cilëson një akt terrorist. Ai jep detaje dhe emra të sulmit të paprecedentë me tritol të varrit, por edhe hakmarrjen e shqiptarëve. Ja si e pasqyron ai:

“Më 27 gusht 1977, në varrezat e Tiesë ndodhi një incident i turpshëm. Disa ‘agjentë’ të Ambasadës së Shqipërisë, në rrugën de la Pompe në Paris, kishin përdhosur varrin e mbretit Zog, duke u përpjekur të nxirrnin jashtë arkivolin e tij. Mbretëresha i shkroi presidentit, Giscard d’Estaing, e cila për turp mbeti pa përgjigje. Si hap të parë, përpara se të fillonim punimet për blindimin e varrit, vendosëm të nxirrnim qivurin dhe ta mbanim të mbrojtur. Mësuam se akti i neveritshëm ishte kryer nga disa studentë bursistë shqiptarë, të frikësuar nga spiuni Hasan Luçi. Ky i fundit mori një mësim të mirë nga Hylle Spahija dhe u dëbua nga Franca. Oborri mbretëror i dha udhëzime Hulle Spahijas që t’u jepte një paralajmërim përgjegjësve të Ambasadës. Duke ditur se në Ambasadë nuk jetonte askush, u vendos që në mbrëmje të hidhej një flakëvënës dhe ashtu u bë.”

Ndoshta historia edhe më e interesante është për bandën e Xhevdet Mustafës. Skënder Zogu përjashton në mënyrë kategorike përfshirjen e Leka Zogut në këtë histori dhe jep fakte dhe prova se e gjitha ishte vepër e Sigurimit të Shtetit. Ja si e përshkruan ai atë histori:

“Fadili i cili më kishte thënë në Paris se do më njihte me disa shqiptarë, më çoi tek një sipërmarrës i pasur shqiptar, Halit Bajrami, i cili bënte tregti me Enver Hoxhën. Ky personazh më priti dhe më pyeti: Ç’dreqin ka Leka Zogu që zhvillon një fushatë të tillë kundër regjimit shqiptar? Enver Hoxha i shërben popullit, ndërsa ju të tjerët, monarkistët, humbisni kohën kot. Populli nuk ju do! Unë u ngrita dhe i thashë: Zotëri, e shoh që bëni tregti të mirë me atë që keqtrajton bashkëpunëtorët tanë dhe që është një diktator gjakatar. Unë po largohem, por një ditë ju do ta kuptoni se kush është Enver Hoxha.

Nuk e pranova kafenë dhe dola.

Më vonë, do të zbuloja se projekti për zbarkimin në Shqipëri ishte konceptuar dhe financuar nga këta njerëz. Gjithë ‘komploti’ i Xhevdet Mustafës, i mbiquajtur Billy, për nevoja të këtij operacioni, ishte programuar në Okland nga agjentë të Policisë sekrete, Sigurimit, me ndihmën e agjentit të tyre, Halit Bajrami i mbiquajtur Aleks, i cili i kishte dhënë në Tiranë të gjitha informacionet në lidhje me këtë aksion. Ata kishin një kontakt në Romë, Sabaudin Haznedarin, i mbiquajtur Dino, i cili u vra gjatë zbarkimit të grupit të armatosur në bregdetin shqiptar, më 25 shtator 1982. Xhevdeti gjithashtu u vra gjatë ikjes, ndërkohë që Fadil Kaceli, i mbiquajtur Fred, pati tepër fat, pasi u plagos para se të hipte në varkë për të kryer aksionin dhe nuk mori pjesë në zbarkim.

Komunistët zbarkimin e Xhevdet Mustafës ia ngjitën mbretit Leka. Por, kur ky i fundit, i cili kishte dëgjuar fjalët që vinin nga Belgjika, se si një grup shqiptarësh kishin parashikuar një sulm, i kishte paralajmëruar njerëzit e tij të hapnin sytë e të mos binin në rrengun e krijuar nga Sigurimi.

Pas vdekjes së diktatorit në vitin 1985, shtypi i Zelandës së Re zbuloi se i gjithë operacioni kishte qenë i kurdisur nga regjimi komunist, për të kompromentuar ministrin shqiptar të Mbrojtjes”.

Një nga diskutimet e shumta të shqiptarëve që ndoqën në mërgim Ahmet Zogun, është fabula e romanit “Mërgata e qyqeve” e shkrimtarit Nasho Jorgaqit. Skënder Zogu na e paraqet me detaje, duke e hedhur poshtë atë histori. Në libër ai përshkruan se kush ishte në realitet Isuf Mullai, personazhi i romanit, lidhja e tij me Sigurimin e Shtetit, infiltrimin dhe takimin me të në hotel Adriatik në Durrës. Ja si e paraqet në libër:

“Skënder Zogu: Nuk do ndyj dorën duke ia shtrënguar dikujt që e ka ngjyer me gjak. Ti ke tradhtuar vëllezërit dhe motrat e tua, duke i denoncuar familjet e tyre që jetonin më mërgim. Duke i shërbyer Enver Hoxhës, ti ke pjesë në krimet që ka kryer ai. E shoh që ke ngrënë bar edhe ti.

Isuf Mullaj: Unë i kam shërbyer vendit tim, mbretit Zog dhe Enver Hoxhës.

Hylle Spahija: Im atë, përpara se të vdiste, më la një amanet. Më tha që nëse një ditë do kthehesha në Shqipëri dhe të shikoja atë spiunin Isuf Mullajn, duhet t’ia tregoja vendin.

Isuf Mullaj: Ja ku më ke. Qëllomë po deshe!

Skënder Zogu: Ne nuk jemi vrasës, si puna juaj”.

Libri ka një galeri të paparë personazhesh. Me të mirat, të këqijat, anët pozitive dhe negative, Skënder Zogu, në fakt, në këtë libër u ka nxjerrë anët e tyre më të mira. Diku u thumbon dhe diku u lë një bisht nga pas. Të gjithëve u jep atë që u takon. Por ama, vetëm për një bën përjashtim dhe flet vetëm mirë: mbretëreshën Geraldinë. Një personazh që kush e njohu nga afër dhe nga larg dhe nuk bëri kështu! Skënder Zogu e ka thënë nga brenda Oborrit Mbretëror. Historia e familjes mbretërore dhe e vetë mbretërisë Zog, do të ishte e mangët pa këtë libër! /AFP.al/

Exit mobile version