Superylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, është konsoliduar tashmë si lideri absolut i repartit sulmues në “Santiago Bernabéu”, duke lënë në hije Vinicius Junior. 

Trajneri Xabi Alonso duket se e ka bërë të qartë se kush është njeriu i tij kryesor në ofensivë.  


Në ndeshjen e dytë të sezonit, Alonso zgjodhi Rodrygon përpara Viniciusit, ndërsa Mbappe ka luajtur thuajse çdo minutë në tri ndeshjet e para të La Ligas, duke munguar vetëm për tre minuta. 

Vinicius u zëvendësua edhe në ndeshjen e tretë, sërish për t’i lënë vendin Rodrygos, ndërsa besimi i trajnerit te Mbappe është shpërblyer me tre gola. 

Madje, në ndeshjen ku nuk shënoi, francezit iu anuluan dy gola për pozicion jashtë loje. 

Mbappe duket në formë të shkëlqyer dhe i angazhuar maksimalisht, duke treguar se ka krijuar një lidhje pozitive me Alonson që në fillim. 

Në një intervistë për median gjermane BILD, ai foli për përshtypjet e tij ndaj trajnerit spanjoll. 

“Pata një përshtypje shumë të mirë për të. E sheh që është një njeri që dëshiron të ketë sukses. Ai e njeh klubin në mënyrë perfekte, sepse ka luajtur vetë për Real Madridin”. 

Mbappe shtoi gjithashtu se objektivat për këtë sezon janë të qarta. 

“Objektivat janë të qarta, fitimi i trofeve. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të përpiqemi, sepse e dimë sa e vështirë është të fitosh tituj”, përfundoi francezi./Telegrafi/

telegrafi sport app