Lushaku-Sadriu: Ftesa e Vetëvendosjes për koalicion ishte fyerje publike

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka folur edhe për propozimin e LDK-së për ‘qeveri të unitetit’. Ajo tha se në një version të tillë qeveritar të gjitha partitë do të ishin të përfaqësuara për të adresuar për një kohë prioritetet për vendin.
Lushaku-Sadriu tha se kjo nuk do të ishte afatgjate, por deri në zgjedhjet e ardhshme që potencialisht sipas saj do të ndodhnin kur të vije radha për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
“Ne po themi me proporcionet që përfaqësojmë në Kuvend. Këtu sigurohet legjitimiteti proporcional në një ekzekutiv. Nuk është asgjë afatgjate, do të jetë në një periudhë të caktuar me objektiva të caktuara ku do të dakordoheshin të gjithë, edhe për emrat se kush do të ishin që do të përfshiheshin në ekzekutiv. Ne nuk po themi që ky do të ishte modeli që do ta shpije Kosovën në katër vitet e ardhshme, jo, deri në zgjedhjet e ardhshme që potencialisht mund të ishin atëherë kur vjen radha për tu zgjedhur presidenti”, tha ajo
Lushaku-Sadriu, ftesën që lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i dërgoi liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për koalicion, e quajti jo serioze e fyerje publike.
“Ne ia kemi dhënë përgjigjen në ftesën që e ka bërë sepse e kemi parë se ftesa nuk është serioze. Ka ardhur përmes kanaleve publike pa bërë asnjë diskutim. Ne që kemi studiuar shkenca politike e dimë që koalicionet bëhen serioze kur ka biseda serioze, jo domosdoshmërish të bëra publike, por biseda të ndërtuara mbi parime, programe, afate e të dalin me rezultate. Por, të kesh një ftesë që tre paragrafët e parë i ka lojë fjalësh populiste me ty e historinë tënde, në fund të thuash 'pse nuk e bën me mua nëse e ke bërë me të tjerët'. Kjo nuk është ftesë serioze, por është fyerje publike”, tha ajo në intervistë në RTK.
Ajo tha se LDK-ja qëndrimin për të mos e votuar kryetarin e parlamentit e ka për shumë shkaqe.
Lushaku-Sadriu ka thënë se elektorati i LDK-së po kërkon të mos ketë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Qëndrimin, LDK-ja për të mos e votuar kryetarin e parlamentit e ka për shumë shkaqe. E ka ndaj Vetëvendosjes si parti politike, e ka si konsistencë të qëndrimit edhe ndaj asaj çka ka përfaqësuar gjatë fushatës, dhe ne presim që i parti ta sigurojë shumicën. Nuk është LDK-ja duke e thënë këtë, por Kushtetuta i jep të drejtën të parit brenda parlamentit për ta propozuar kryetarin e Kuvendit. Për këtë ne presim që i pari ta shfrytëzojë mundësinë e arritjes së një marrëveshje politike që është e shëndetshme për vendin, që jep edhe një produkt që mund të jetë një marrëveshje politike që kurorëzohet edhe me ekzekutivin”, tha ajo, për RTK.
Lushaku tha se Vetëvendosje nuk po ka dëshirë që të dorëzojë pushtetin ekzekutiv. “Ne po i shohim që i kanë zaptuar pozitat ekzekutive, ndërkohë që 17 prej tyre e kanë bërë betimin si deputetë e njëkohësisht po e ushtrojnë edhe rolin e ekzekutivit”, shtoi ajo.
E pyetur nëse LDK po e shtynë një koalicion të mundshëm mes LVV-së e PDK-së, Lushaku tha se si parti nuk presupozojnë kush me kë duhet të bëhet. “Ne tregojmë qëndrimet tona si parti. Ne i kemi ata deputetë që i kemi dhe te gjithë jemi unik dhe shumë komod në atë çfarë përfaqësojmë. Ne kemi përfaqësuar një program, një platformë me të cilën kemi garuar në zgjedhje dhe kemi kritikuar Vetëvendosjen për një qeverisje jo vetëm të dobët e të paaftë, por tani po e shohim edhe të dëmshme”.
Lushaku tha se ne nuk dëshirojmë në këtë fazë të bëjmë koalicion edhe për shkak të diskursit që ka përdorur LVV-ja, posaçërisht ndaj LDK-së.
“Secila parti politike duhet të ketë peshën e fjalës publike, dhe të ruaj atmosferë politike duke mos shkaktuar polarizim mes qytetarëve. Me të drejtë edhe elektorati ynë na kërkon të mos e bëjmë këtë koalicion, dhe ne nuk do ta bëjmë këtë”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së tha se përafrimi duhet të jetë ideologjik e programor. “Vetëvendosje është parti e majtë, skajshmërisht ndonjëherë. Në çdo koalicion që ka pasur edhe përgjatë historisë edhe në vende të tjera që atëherë koalicionet jo parimore e jo programore, dështojnë ose dikush nga partitë e paguan faturën”, tha Lushaku-Sadriu.







































