LAJMI I FUNDIT:

Lulzim Basha zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike

Lulzim Basha zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike
Foto: Arkiv

Me 16 mijë e 196 vota, Lulzim Basha u zgjodh për herë të katërt në krye të Partisë Demokratike, kundrejt 1,650 vota që mori kundërshtari i tij Gjergji Hani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të PD dha shifrat përfundimtare, ku morën pjesë 18 mijë e 52 anëtarë, rreth 705 e atyre që u thirrën në votim.


“Kanë marrë pjesë 18 mijë e 52 anëtarë të PD, pjesëmarrja shkon 70%. Nga 18 mijë e 52 anëtarë që kanë marrë pjesë në votim, të pavlefshme 199. 17 mijë 853 të vlefshme, nga të cilat Basha ka marrë 16 mijë e 196 vota dhe Hani 1 mijë e 657 vota. Deklarohet fitues Lulzim Basha, i cili shpallet kryetari i Partisë Demokratike.”-deklaroi Jemin Gjana.

Votimi nisi në orën 08:00 dhe u mbyll në 19:00, ndërsa numërimi zgjati më pak se dy orë. Procesi ishte i qetë dhe u votua në 71 qendrat e votimit. Gjithsej ishin 25 mijë anëtarë të thirrur, ndërkohë që në zgjedhjet e fundit të vitit 2021 në PD ishin 75 mijë anëtarë demokratë. Në ato zgjedhje Basha u zgjodh me 41 mijë vota.

Vetëm 8 nga 52 që ka fituar në total PD në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021 pranuan të ishin pjesë e këtij procesi zgjedhor.

Mbajtja e këtyre zgjedhjeve ka sjellë një tjetër përplasje brenda Partisë Demokratike zyrtare. Kujtojmë se Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi mblodhi Këshillin Kombëtar dy net më parë, ku vendosi anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut, por ishte grupimi tjetër i Bashës që doli në kundërshti me këtë vendim.

Një ditë më parë grupimi Bardhi çoi në gjykatë çështjen e PD-së, duke depozituar vendimin e Këshillit Kombëtar për anulimin e zgjedhjeve, pezullimin e Kryesisë dhe kërkesën për çregjistrimin e Lulzim Bashës që vijon të jetë kryetar i PD-së në regjistrin e partive politike.

Nga ana tjetër, Kryesia e PD-së disa ditë më parë i hoqi vulën Bardhit dhe ia kaloi sekretarit Ligjor, Indrit Sefës.

Kjo situatë brenda partisë rrit mundësinë e një tjetër përballjeje në gjykatë, në kushtet kur ende Gjykata e Shkallës së Parë nuk është shprehur me një vendim se kujt i përket partia, “Rithemelimit” të drejtuar nga Sali Berisha apo grupit tjetër. /tch/