Sonte, studio e “Debat Plus” me Ermal Pandurin ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë.




Në studio nga ora 20:30 kandidatët për të parin e Prishtinës, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës u përballën me njëri-tjetrin në garën e fundit dhe vendimtare për të parin e Prishtinës.

- YouTube www.youtube.com

Tre kandidatët për kryetar të Prishtinës kanë plasuar programet e poashtu kanë pasur përplasje të forta të njëri-tjetrit në Debat Plus.


09/10/2025 23:27- Kandidatët për Prishtinën flasin për koalicionet e mundshme paszgjedhore

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama, tha se është i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë që kanë për synim të mirën e Prishtinës.

“Unë jam i hapur për koalicione me secilën parti që ia do të mirën kryeqytetit,” deklaroi Rama në Debat Plus.

Ndërkaq kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, u shpreh më përjashtues, duke theksuar se nuk do të bashkëpunojë me PDK dhe LDK.

“Unë do të bëj koalicion me të gjitha partitë tjera, përpos me PDK-në dhe LDK-në”, tha Çeku.

Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Urani Ismaili, theksoi se nuk e sheh çështjen e koalicioneve si partiake, por si bashkëpunim për të mirën e qytetit.

“Shoh dallime të mëdha konceptuale, nuk e kam partiake. Do të bashkëpunoj me çdo parti e çdo ekspert për të mirën e Prishtinës. Do të pranoj koalicion vetëm për projektet konkrete të Prishtinës…Nëse koalicioni do të jetë për çështje Prishtina 2035 si e Çekut e kjo e Përparim Ramës jo. Unë i paraqes platformat e mija dhe nuk e mbylli bashkëpunimin me askënd. Do t’i paraqes platformat e mija. Është e rëndësishme që 4 vitet e radhës të jenë projekte të realizueshme, koalicioni për mu është koalicion me realizu për atë që kemi hy”, tha Ismaili.

09/10/2025 22:47- Çeku paralajmëron Ramën për raportet me Japoninë, Rama ia kthen: Ju na keni prishë me Amerikën

Gjatë debatit për Spitalin e Prishtinës, Hajrulla Çeku i Vetëvendosjes iu drejtua kandidatit të LDK-së, Përparim Rama, duke i thënë të mos vazhdojë me arsyetime për mosbërjen e spitalit, pasi “po rrezikon të na prishësh marrëdhëniet me Japoninë”.

Rama ia ktheu menjëherë, duke akuzuar Vetëvendosjen se “na ka prish marrëdhëniet me Amerikën e Evropën, e tani po shqetësohet për miqtë”.

“Ju nuk i keni problem prishjen me miqtë, na keni prish me Amerikë, me krejt Evropën, e ti po flet për prishjen me miqtë a? Po ju jeni ata që na keni prishur partneritetin me miqtë tanë kryesor. Në secilën sferë jeni bllokues të Parlamentit të Kosovës”, ka deklaruar Rama drejtuar Çekut.

Rama ka shtuar se në çdo rast kur ka pasur mundësi, pushteti qendror ka penguar punët e Komunës së Prishtinës.

“Ku keni mundur të na bllokoni, na keni bllokuar – është fakt. Jeni bllokues, është fakt”, ka theksuar Rama.

Ndërkaq ministri Hajrulla Çeku iu kundërpërgjigj duke thënë se Rama nuk mund të deklarojë njëkohësisht se ka transformuar Prishtinën dhe se është bllokuar për katër vjet.

“Brenda 10 minutave është në gjendje me thënë e kam transformuar jam kryetar i projekteve të mëdha edhe me thënë më kanë bllokuar që katër vjet, tash ja është njëra ose tjetra, ose e ke transformuar Prishtinën ose të kemi bllokuar. Unë mendoj se nuk qëndron asnjëra”, ka deklaruar Çeku.

09/10/2025 22:37- Ismaili “sfidon” Çekun mbi tri shtyllat e transportit publik

Gjatë debatit në Debat Plus për kryetar të Prishtinës, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka kritikuar Hajrullah Çekun nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) për mungesë zgjidhjesh konkrete në fushën e transportit publik.

Ismaili tha se gjatë prezantimit të vizionit të tij për transportin, Çeku nuk ka ofruar propozime praktike.

“Kur dolëm të zgjidhjet konkrete, tani po më duket që po e kuptoj pak pse po ka nevojë me paska kaq konflikt. Sepse, e dëgjova zotin Çekun dhe prita se do të flet diçka për transportin publik, transportin në përgjithësi. Dhe tha se ekzistojnë dokumente dhe aty e përfundoi e gjitha”, ka thënë Çeku.

Ai shtoi se një transport publik i organizuar duhet të bazohet mbi tre shtylla kryesore globale: kohën, koston dhe përshtatshmërinë për qytetarët.

Duke u fokusuar te këto shtylla, Ismaili kritikoi mënyrën se si Çeku trajtoi temën.

“O Zot, gabim, lem të kallxoj. Ia nise retorikë të analizave… E bëra pyetjen me pa çka po flet për zgjidhje dhe për zgjidhje apet e bëri një rend retorike që nuk tha asgjë. Një transport publik, kur orientohet ka tri koncepte: Kohën me të cilën qytetari e llogarit, koston dhe e ka përshtatshmërinë….”, ka thënë Ismaili.

Çeku nga ana e tij tha se çdo organizim i transportit publik duhet të nisë me analizën e lëvizjes së qytetarëve.

“Çdo organizim i transportit publik para se gjithash është analizë e lëvizjes së qytetarëve…”, ka thënë Çeku.

09/10/2025 22:31- Çeku sfidon Ramën për autobusët e ri

Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidat për mandatin e ri nga LDK-ja, Përparim Rama, ka theksuar se transporti i ri në kryeqytet tashmë është realitet, duke përmendur biletën e integruar, kuletën digjitale dhe tabelat digjitale.

“Transporti i ri i Prishtinës sot është realitet. Bileta e integruar sot është realitet. Kontratat nuk janë në sektorin privat dhe unifikimi është realitet. Kuleta digjitale është realitet, tabelat digjitale është realitet. A ke hipur ndonjëherë një autobusi që sot mundesh prej një pike në pikën tjetër në secilin fshat shkon me një bilet të integruar të unifikuar? Kjo është realitet, mos i mashtro qytetarët – këta e dinë shumica që e përdorin çdo ditë,” ka deklaruar Rama në Debat Plus.

Hajrulla Çeku i LVV-së, e ka kritikuar Ramën lidhur me marrëveshjen për autobusët e rinj me BERZH-in, duke pyetur pse nuk ka ardhur asnjë autobus i ri.

“Marrëveshja me BERZH-in pse nuk ka ardhur asnjë autobus i ri, marrëveshja me BERZH-in me 30 autobus pse nuk erdh asnjë autobusë”, ka theksuar ai.

Çeku mes tjerash e quajti qeverisjen e tij katër vjet dështim dhe mashtrim.

Rama theksoi se zhvillimet në transportin publik janë të dukshme dhe qytetarët e Prishtinës e shohin këtë.

09/10/2025 22:21- “Pritshin gratë n’shi autobus 26 vjet mas luftës..”- Nervozohet Ismaili, përplaset me Ramën

09/10/2025 22:19- Çeku-Ramës: Nuk të kanë borxh prindërit që ti të bësh eksperimente me fëmijët e tyre

09/10/2025 22:17- Rama-Çekut: Motra e Fitore Pacollit na i ka humb 1 vjet të Rrugës A

09/10/2025 22:11- “A je pendu, a ki kërku falje që e ki bo Përparim Ramën kryetar?”, përplasen Çeku e Ismaili

09/10/2025 21:43- “Shtoi pika kundërligjshëm”, Përparim Rama akuzon Çekun për ndërhyrje në proceset komunale

Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar një dokument që, sipas tij, dëshmon mënyrën se si ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka bllokuar punimet në Rrugën “Agim Ramadani”.

Rama tha se pas shpalljes së tenderit nga Komuna e Prishtinës, Çeku kishte ndërhyrë në rregullore duke shtuar pika të reja, me qëllim që të pengonte vazhdimin e projektit.

“Djali i sinqertë, ky i sinqerti, më 22 prill 2024, me sinqeritetin e tij, shtatë muaj pasi ne e kishim shpallur tenderin, ka shtu pika kundërligjshëm për ta bllokuar Prishtinën. Ne i kemi respektuar të gjitha kërkesat e zonës mbrojtëse, por ai ka ndërhyrë për ta ndaluar projektin”, deklaroi Rama në një intervistë për RTV Dukagjini.

Sipas tij, këto veprime kanë ndikuar që për katër vjet të mos realizohen projekte të rëndësishme për qytetarët e kryeqytetit.

09/10/2025 21:50- Uran Ismaili: Projekt më të madh se me i zgjidh problemet e Prishtinës nuk kam

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, në debatin për kryeqytetin ka kritikuar kundërkandidatët e tij për ofrimin e projekteve që, sipas tij, janë të parealizueshme dhe utopike dhe janë përdorur vetëm për të fituar vota.

Ai tha se projekte si “Unaza e Jashtme” janë plane që kapin qindra miliona euro dhe janë ricikluar për më shumë se 25 vite nga qeverisjet komunale, përfshirë edhe kryetarin aktual, Përparim Rama.

Sipas Ismailit, këto projekte nuk janë të përfshira në buxhetin e komunës dhe nuk kanë as kapacitetin financiar e teknik për t’u realizuar aktualisht. “Plane të tilla ofruar vetëm për t’u përdorur në fushata,” tha ai.

Ismaili tha se projekti i tij më i madh është zgjidhja e problemeve të përditshme të qytetarëve.

09/10/2025 21:36- Çeku: Rama po kërkon një mandat të dytë, por prapë do të ankohet për bllokim

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, ka kritikuar kryetarin aktual dhe kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama, duke e akuzuar atë për mungesë të qasjes efektive në zgjidhjen e problemeve infrastrukturore të kryeqytetit.

Gjatë debatit në Debat Plus, Çeku ka thënë se Rama po kërkon një mandat të dytë duke përdorur të njëjtin arsyetim për mossukseset gjatë qeverisjes: “bllokimet”.

“Një kryetar komune që në përfundim të mandatit, për projekte madhore me të cilat e ka fituar besimin e qytetarëve, thotë më kanë bllokuar. Tash po e lyp edhe një mandat, kush e di prapë kah fundi i mandatit tjetër thotë prapët më kanë bllokuar. Shumë me rëndësi është qasja se mandej kur nuk din edhe nuk do me zgjidh probleme, arsyetime shumë kollaj është me gjetë…”, ka thënë Çeku.

09/10/2025 21:04- Sheshi “Xhorxh Bushi” përplas kandidatët për Prishtinën

Në debatin zgjedhor për kryeqytetin në Debat Plus, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama, ka reaguar ndaj akuzave të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hajrullah Çeku, lidhur me ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë.

Çeku ka pretenduar se ndërtimi i këtij sheshi përfshin shkelje ligjore.

“Kontrata për sheshin duhet ta kalojë testin e ligjshmërisë”, ka thënë Çeku.

Por Rama është përgjigjur duke hedhur poshtë këto akuza dhe duke akuzuar kundërshtarin e tij për hipokrizi.

“Ky që thirret në ligj, ky djali që thirret në ligj bën gjëra jashtëligjore”, ka thënë Rama.

Derisa kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK, Uran Ismaili, ka kritikuar kundërkandidatët e tij për mungesë bashkëpunimi dhe përplasjet e vazhdueshme që, sipas tij, e kanë lënë qytetin në kaos.

Ismaili tha se pavarësisht mundësive për të punuar bashkë në projekte të rëndësishme, disa prej kundërshtarëve të tij politikë nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje të përbashkëta, duke i lënë qytetarët të vuajnë pasojat e këtyre përplasjeve.

“Bashkëpunimi nuk është dobësi, nuk është toksik — është domosdoshmëri për të mirën e kryeqytetit dhe qytetarëve të tij. Unë do ta bëj këtë pa dallime partiake”, deklaroi Ismaili

09/10/2025 21:01- “Një Prishtinë pa trafik, të pastër e të sigurt”- Ismaili premton zgjidhje konkrete e qeverisje për të gjithë, pa dallim partiak

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, në debatin e sontëm në Debat Plus ka theksuar se tashmë ka prezantuar prej muajsh zgjidhjet konkrete për problemet më të mëdha të kryeqytetit.

Ai tha se vizioni i tij për Prishtinën bazohet në punë konkrete dhe plane të realizueshme që do të nisin menjëherë pas marrjes së mandatit.

“Zgjidhjet e menjëhershme i kam prezantuar me muaj. Për një Prishtinë pa trafik, për një Prishtinë të pastër, për një Prishtinë të sigurt, pa qenë endacak. Pra, një Prishtinë që është funksionale për të gjithë, e që nga 13 tetori do të fillojë të punojë për të”, ka deklaruar Ismaili.

“Si kryetar do të jem një kryetar që punon me të gjithë, pa dallim vijave partiake, me të gjithë vetëm që ta arrijmë më të mirën e Prishtinës”, ka shtuar ai.

09/10/2025 20:52- Rama: Vizioni im për Prishtinën është planifikuar për 50 vitet e ardhshme

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se vizioni i tij për kryeqytetin është i ndërtuar mbi planifikim afatgjatë dhe zhvillim të qëndrueshëm urban.

Ai tha se ky vizion është paraqitur që katër vjet më parë dhe parasheh zhvillimin e Prishtinës për 20 deri në 50 vitet e ardhshme.

“Unë e kam paraqitur vizionin tim qysh para katër vitesh, është një vizion i cili është afat gjatë. I cili është planifikuar për 20-50 vitet e ardhshme të kryeqytetit. Pra Prishtina po zhvillohet me plane të mirëfillta me harta të qarta. Deri sot kemi kryes një punë të madhe në kryeqytet. Projekte madhore që jemi duke i shtyrë para janë: ishulli urban, që e lidh Arbërinë me qendrën – po ashtu nënkalimi Dardani me Kalabri – penetrimi i Veterrnikut – sheshi i madh – nënkalimi i Agim Ramadanit …”, ka thënë ndër të tjera Rama në Debat Plus.

09/10/2025 20:51- Çeku: Prishtina s’ka drejtim të qartë, unë ofroj vizion e veprime që nga dita e parë e qeverisjes

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se kryeqyteti aktualisht nuk ka një drejtim të qartë zhvillimi, ndërsa ai ofron një qeverisje me vizion dhe plan konkret për të ardhmen e Prishtinës.

“Unë ofroj një qeverisje e cila e ka vizionin, por edhe planin konkret të masave dhe veprave për të cilat duhet të angazhohem që ta arrijmë vizionin tonë të përbashkët për Prishtinën. Sot Prishtina nuk e ka një drejtim të qartë se nga duhet të shkojmë, cila është e ardhmja jonë, si duhet të jetë Prishtina pas 10 viteve. Prandaj kjo është ajo që po ofroj – një vizion me masa, veprime, projekte e kontakte që do të ndërmerren që nga dita e parë e qeverisjes”, ka deklaruar Çeku në Debat Plus.

Ai theksoi se përvoja e tij në qeverisjen qendrore dhe rezultatet e arritura deri më tani e bëjnë një kandidat serioz për të çuar Prishtinën përpara.

“Unë do të angazhohem me i zgjidh problemet e Prishtinës me themel. Ne kemi nevojë sado bazike e banale që mund të tingëllojë ta përfundojmë njëherë e përgjithmonë, rrjetin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, ta përfundojmë sistemi ujësjellësit, dhe të mbërrijmë një sistem të menaxhimit të mbeturinave dhe pastërtisë në Prishtinë, pra elementare”, ka deklaruar ai.

09/10/2025 20:35- Kandidatët për Prishtinën i thonë pikat e forta për njëri-tjetrin

Tre kandidatët për kryetar të Prishtinës kanë vlerësuar pikat e forta të njëri-tjetrit në Debat Plus.

“Dizajni për hamam bar, e pat fitu një shpërblim ndërkombëtar (Rama). Ndërsa për zotin Ismaili është ai red velvet cake që e bëjnë në Mattise, e bëjnë shumë të mirë”, ka thënë Hajrullah Çeku për kundërshtarët e tij.

“Njëri shumë i fortë në sabotime e tjetri shumë i fortë në bllokime”, ka thënë Përparim Rama për Ismailin e Çekun.

“Të dytë janë gjendje me i shpreh mendimet e tyre. Në mënyrën që besojnë në to. Kështu që i kanë bindje t e tyre dhe i kanë shpreh ato, dhe i dalloj te këto”, ka thënë Uran Ismaili për kandidatët e LDK-së e LVV-së.

09/10/2025 20:30- Çeku, Rama e Ismaili ia zgjatin dorën njëri-tjetrit

09/10/2025 20:19- Prapaskenat para se te fillonte debati

09/10/2025 20:15- Kandidatët për kryetar të Prishtinës nisen drejt debatit në TV Dukagjini

09/10/2025 19:34- Jepe mendimin përmes votës