Janë pezulluar nga puna tre punonjës të burgut të Peqinit pasi është zbuluar se ata në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë lejuar futjen e lëndëve narkotike në burg.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (SHKBB) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar Urdhrin e ekzekutimit dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj personave nën hetim; S.G me funksion punonjës i rolit të mesëm; S.G me funksion punonjës i rolit bazë; dhe Xh.B me funksion punonjës i rolit bazë në burgun e Peqinit.
Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, në bazë të materialit dërguar nga SHKBB, ka regjistruar procedimin penal, pasi shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë lejuar futjen e lëndëve narkotike në burgun e Peqinit me qëllim shitjen dhe përfitimin e vlerave monetare, kjo e kryer në kohë dhe periudha të ndryshme.
Veprimtaria e paligjshme është dokumentuar në të paktën tre raste nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. /Telegrafi/