LAJMI I FUNDIT:

Lancster konfirmon mbështetjen e Britanisë për Kosovën

Lancster konfirmon mbështetjen e Britanisë për Kosovën

Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lancster, ka deklaruar se promovimi i sigurisë rajonale është interes i përbashkët i Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-së, derisa ka konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën.

Lancster i bëri këto komente pas vizitës që bëri në Ministrinë e FSK-së, ku ishte bashkë me delegacionin e Ministrisë së Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar.

Lancster tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, si një partnere e vjetër dhe e përkushtuar në këtë drejtim.


“Mbretëria e Bashkuar ka qenë një partner i vjetër dhe i përkushtuar për Kosovën dhe jam shumë i impresionuar që jam kthyer përsëri këtu dhe të shoh progresin që është duke u bërë… Jam po aq krenar që kemi nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit, të cilin ne vazhdojmë ta mbështesim. Kjo është një mbështetje për të cilën jemi të përkushtuar për ta vazhduar edhe në të ardhmen. NATO është gurthemeli i mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, pra, ne kemi një interes të përbashkët në promovimin e sigurisë rajonale këtu dhe kjo është arsyeja pse unë jam shumë i kënaqur që jam këtu sot dhe të nënvizoj mbështetjen tonë të vazhdueshme për Kosovën”, tha ai.

Kurse, ministri i Forcave të Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha tha se Mbretëria e Bashkuar e ka ndihmuar Kosovën dhe po vazhdon të mbështesë drejt ndërtimit dhe forcimit të shtetit.

Ai tha se nënshkrimi i Memorandumit të bashkëpunimit ka bërë që të ketë bashkëpunim të shkëlqyer mes dy palëve sidomos në fushën e sigurisë, në arsimimin e pjesëtarëve të FSK-së, shkollimin dhe trajnime të ndryshme.

“Me fokus të veçantë biseduam rreth procesit të transformimit të Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura që realisht e kërkuam edhe mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar të vazhdojë të na mbështes edhe në këtë drejtim, sepse ne mendojmë që me transformimin e Forcës të Sigurisë të Kosovës në ushtri të Kosovës, ose në Forca të Armatosura rrumbullakohet shtetësia jonë. E njoftuam se jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme që kjo të ndodhë me ndryshime kushtetuese për shkak se votimi i ndryshimit në parlament do të jetë më i lehtë nëse edhe komuniteti jo-shumicë, në këtë rast komuniteti serb, do ta voton ndryshimin kushtetues, por edhe rruga e integrimit në NATO do të jetë shumë më e lehtë për Forcën e Sigurisë”, tha ai.

Berisha u shpreh mirënjohës ndaj kontributit të ministrit Lancster dhe Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe Ministrinë e Forcës së Sigurisë.

Ndryshe, ministri Lancster gjendet në Kosovë pas 18 vitesh, ku kishte shërbyer si ushtar i KFOR-it, ndërsa   u shpreh të jetë i nderuar të shoh progresin që ka arritur Kosova për 18 vite.

Ai gjatë ditës ka takuar Presidentin Hashim Thaci dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. /KP/