Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit, Vjosa Osmani Sadriu, kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, anëtarë të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe familjarë të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë, ka bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.

Kurti deklaroi se 1584 njerëz të vendit tonë ende mungojnë.


"Fati i tyre duhet të zbardhet sa më parë dhe për këtë, institucionet e shtetit tonë po bëjnë maksimumin. Në vitin e kaluar kemi gërmuar e gjurmuar në 23 lokacione të ndryshme, ndërkaq sivjet kemi pasur 18 aktivitete për hulumtim e për kërkim të mbetjeve mortore të më të dashurve tanë, të cilët i vrau Serbia dhe jo vetëm që i zhvarrosi, por edhe ua rrëmbeu kufomat. Në anën tjetër, gërmimet në Kozhle të Serbisë nuk kanë filluar ende, ndërkaq në Batajnicë afër Beogradit, nuk kanë rifilluar ende, paçka se u bënë dy vjet që ne e kemi edhe Marrëveshjen e Brukselit edhe Deklaratën përkatëse për këtë çështje. Mohimi i drejtësisë ndaj viktimave tona të luftës së fundit, në fakt paraprihet nga mohimi i krimeve të kryera nga Serbia, që e bën Beogradi zyrtar", u shpreh kryeministri.

Ai falënderoi partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë për mbështetjen që po na japin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, dhe kërkoi nga ata që të bëjnë më shumë trysni mbi pushtetin në Beograd, sepse në arkivat e tyre dhe tek zyrtarët e tyre ndodhet edhe e vërteta, që nuk po zbardhet, por njëkohësisht edhe përgjegjësia për atë çfarë na ka ndodhur neve si palë që e pësoi gjenocidin e fundit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës. /Telegrafi/