Site icon Telegrafi

Kur Mehdi Bajri ishte 18 vjeç: Vitet e dashurisë

*

– Shkrim i publikuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, në vitin 2000, në kuadër të rubrikës “Kur isha 18 vjeç” –

Përgatiti: Luljeta Tahiraj

Me ditar në dorë, menjëherë pas maturës punova në Gjimnazin e Pejës, ku isha një prej arsimtarëve më të rinj. Pas një viti shkova në Beograd, ku kreva studimet … Ëndrra e asaj kohe ishte ta përfundoj shkollën, të merrem me kompozime, të mbes në këmbët e mia që të mos marrë ndihmën e nënës … thotë mes tjerash për moshën 18- vjeçare, kompozitori Mehdi Bajri.

Unë ende e ndjej veten të ri, gati si 18-vjeçar, ngase gjithmonë rri me të rinj.

Ishte gati fundi i vitit të shkollës së mesme të muzikës, ku të gjithë të rinjtë të moshës sime, atëherë 18-vjeçarë, mezi pritnim mbrëmjen e maturës – parapërgatitjet me shokë dhe shoqe.

Këto janë vitet më të mira të rinisë, ngase janë edhe vitet e dashurisë. Në shkollën e mesme të muzikës kemi qenë disi më të liruar prej koncepteve të atëhershme; ishim si gjeneratë më e avancuar për atë kohë, ngase ishim të gjithë muzikantë dhe çdo vikend, të premtave, të shtunave e të dielave organizonim ballo me shkollën e mesme të muzikës – dhe me atë të medicinës, sepse shkolla e medicinës i kishte vajzat më të bukura. I organizonim vetë ballot, loznim me instrumente, dikush me piano, dikush me harmonikë, hitet e viteve të atëhershme të ’60-ta.

Profesori 18-vjeçar

Kam qenë nxënës shumë i mirë. Zakonisht të gjithë ishim të shkëlqyeshëm. E kam dashur muzikën, ndaj e kam lëshuar në vitin e parë gjimnazin. Nëna nuk donte të më linte se isha edhe pa babë, vëllai ishte student në Beograd e unë po shkoja në Prizren. Nëna ime e mohonte këtë. Mirëpo, unë ika dhe shkova, u regjistrova në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren të cilën e përfundova me sukses. Pas përfundimit të shkollës së mesme, punova një vjet si profesor, edhe pse isha 18-vjeçar. Me ditar në dorë, menjëherë pas maturës punova në Gjimnazin e Pejës ku isha një prej profesorëve më të rinj. Pas një viti shkova në studime në Beograd, ku i kreva studimet. Qysh si maturant kam marrë pjesë në “Akordet e Kosovës”. Kënga ime e parë ishte “Një lule” e Gjejlane Proçit. Prej atëherë fillova të merrem edhe me kompozime.

Mbrëmja e maturës nuk harrohet kurrë … U vesha me kravatë, me rrobat elegante. Ishin në modë kravatat italiane, por unë nuk e kisha një të tillë dhe desha ta huazoj nga një shok imi i cili kravatat i merrte me vete në klasë dhe gjithnjë lavdërohej se “ja, kravata ime është “Made in italy”. Kur e pashë se po i ndërron kravatat, ia kërkova një dhe ai ma dha; ma huazoi një kravatë të bukur, por e pashë se tiketa e saj ishte qepur nga vetë ai. M’u lut që të mos tregoja se çdo mbrëmje ai tiketat e njëjta i qepte në disa kravata.

Më kujtohet që mbrëmjen e maturës e festuam deri në mëngjes, për të mos e përfunduar as aty, por duke vazhduar në kala gjithë ditën e duke festuar katër-pesë ditë të tjera me radhë.

Si 18-vjeçar, çdo natë me shoqëri dilnim në mbrëmje. Prizreni, si qytet shumë i bukur, kishte mjaft vende në natyrë, si dhe lokale – megjithëse jo si tash – ku ne argëtoheshim, dilnim çdo natë …

S`kam dështuar asnjëherë

Sa u përket simpative, unë gjithmonë kam qenë i drejtpërdrejtë. Nuk kam shkuar kah ajo që t`ia komunikoj një vajze se më pëlqen përmes letrave apo përmes shoqes së saj, por gjithnjë kam qenë i drejtpërdrejtë. Dhe, s`kam dështuar asnjëherë. Në atë kohë nuk ka pasur vetëm një dashuri, kishte shumë …

Ëndrra e asaj kohe ishte ta përfundoj shkollën, të merrem me kompozime, të mbes në këmbët e mia që të mos marrë ndihmën e nënës. Për televizion s’kam menduar atëherë, se nuk kishte TV, mirëpo pas 14 vjetëve pata filluar punën aty, në vitin 1974.

Përveç pirjes së duhanit, nuk kam bërë ndonjë problem në atë kohë.

Më kujtohet një ekses i vogël që e bëra në atë moshë. Ishte një prizrenase e bukur, të cilës iu vardisa, e pasi filloi lidhja jonë … ata prizrenalinjtë që flisnin turqishten deshën që fizikisht të qërojnë hesapet me mua. Mirëpo, edhe unë zotëroja një turqishte të Pejës dhe kur ata filluan të fjalosen me mua e më dëgjuan të flas edhe unë si ata, u tërhoqën duke thënë se “ky qenka yni”.

Në atë kohë, të lumtur më ka bërë vetëm dashuria.

Krahasuar me moshën 18-vjeçare atëherë dhe me moshën 18vjeçare sot, unë nuk shoh ndonjë ndryshim përveç veshjes, modës. Unë përkrah të rinjtë, përveç rrugës së keqe, alkoolit, drogës, të cilat atëbotë nuk ishin e sot fatkeqësisht, kanë filluar të përhapen këto dukuri të shëmtuara. Por, ne duhet të bisedojmë me rininë, ta përkrahim atë dhe ta ndihmojmë që t`u ikë dukurive negative”. /Telegrafi/

Exit mobile version