LAJMI I FUNDIT:

Kronisti i tmerrit

Kronisti i tmerrit
Marko Veshoviqi

Nga: Salajdin Salihu

Nuk e braktisi Sarajevën e rrethuar, ku ishte afirmuar si poet, si përkthyes dhe si pedagog universiteti. Aty jetoi me dashurinë e tij të përjetshme. Aty, kur filloi lufta, e pa fytyrën prej demoni të disa poetëve. Aty krijoi me dhimbje për viktimat e pafajshme. Aty shkroi me mllef kundër frymëzuesve të kriminelëve. Aty e përjetoi plagosjen e vajzës shtatëvjeçare. Aty u quajt “poeti i vdekjes, melankolisë dhe trishtimit”. Aty u quajt “kronisti i jetës në Sarajevën e rrethuar”, në kohën kur “shovinistët serbë e kishin bërë botën të padurueshme”.

Është ky Marko Veshoviqi (1945), një ndër zërat më të fuqishëm intelektual kundër spastrimit etnik të popullatës joserbe në Bosnjë dhe më pas në Kosovë, i cili, derisa zgjaste rrethimi i Sarajevës nga forcat ushtarake serbe, jetonte në mesin e njerëzve të trishtuar që e prisnin vdekjen prej granatave të çetnikëve serbë.


“Të gjithë u bëmë vëllezër në pritje të granatave, eksplodimeve, me frikën për fëmijët tanë, qarjet e të cilëve as Zoti në qiell nuk do të mund t’i ndante në serbë, kroatë apo myslimanë”.

Nga Sarajeva e rrethuar bënte thirrje për ndërprerjen e çmendurisë shoviniste, por nuk mori përgjigje, sepse “serbët ishin memecë”. Memecët e dikurshëm sot flasin për paqen.

Para fillimit të luftës kishte besuar në shpirtin kozmopolit të Sarajevës. “Atëherë flisnim: Çfarë lufte! E si mundet që në Sarajevë të bëhej luftë ndërmjet rrugicave, rrokaqiejve, sokakëve. Mbase ka pasur profetë që e kanë ditur se çfarë do të ndodhte, por unë nuk kam ditur asgjë”.

Në Sarajevë u vranë mbi 11 mijë qytetarë, prej tyre mbi një mijë e gjashtëqind fëmijë. Në këtë periudhë ai shkroi libra me poezi, ese dhe polemika. Vepra më e njohur e kësaj periudhe është “Vdekja është mjeshtre nga Serbia” (1994). Titulli është modifikim i vargut të Paul Celanit: “Vdekja është mjeshtre nga Gjermania”.

Në këtë libër ka përfshirë edhe polemikat me përkrahësit e politikës shoviniste serbe. Aty flet për përvojën me Radovan Karaxhiqin, të cilit nuk e kishte honepsur prej se kishte kuptuar se punonte për policinë sekrete.

“Ka një bisedë mes Karaxhiqit dhe njërit prej komandantëve të tij, që thotë: ‘Nuk duan serbët të marrin pushkë’, kurse ai thotë: ‘Vriti he nënën në p… !’ Unë këtë asnjëherë nuk mund ta harroj. Si mundet leshkoja, që keqtrajtohej nga gruaja, jo vetëm para meje, por para dhjetëra miqve të tij, e cila e godiste me këpucë, të thoshte: ‘Vrite’?! Për mua ishte tronditje se si leshkoja u bë kasap”.

Për shkak të qëndrimeve kundër histerisë nacionaliste serbe, Veshoviqi ishte një prej poetëve më të sulmuar prej kolegëve serbë. Kur e quajtën tradhtar të popullit serb, ai ua ktheu: “Çfarë lyp në mesin e serbëve kur jam gjysmë malazez e gjysmë shqiptar dhe kjo shkruhet shkurt e qartë në origjinën time: se Vaso është themelues i fisit tim, i cili kishte shtatë vëllezër, në mesin e të cilëve Hotin dhe Krasin! Si mund të konsiderohet serb një malazez i afërt me Hotët dhe Krasniqët?!”

Ai ka thënë se mbiemri i tij rrjedh nga fjala shqipe “vesh”. Është mburrur me origjinën shqiptare. “Një shqiptar më parë vdes sesa e shkel besën”. Megjithatë, Veshoviqi e pranoi se i kishte tradhtuar kriminelët, kurse kjo tradhti për të ishte vlera më e lartë morale kundrejt krimeve të Karaxhiqit, prej të cilëve “të luan mendja dhe gjuha të gurëzohet”.

“Me kalimin e kohës tradhtia më bëhet më e dashur, sepse i kam tradhtuar njerëzit që duan të djegin, të themi, xhami, kurse unë jam i bindur se duhet të respektohen vendet e shenjta të të tjerëve. Kam tradhtuar njerëzit që duan, për shembull, të luajnë futboll me kokat e prera të myslimanëve. Për mua koka e njeriut, qoftë myslimane ose jo, është shenjtëria më e madhe në univers, sepse aty është shpirti njerëzor që na lartëson kundrejt kafshërisë. Kam tradhtuar njerëzit që e gjuajnë me snajper fëmijën trevjeçar; kam tradhtuar njerëzit që i vrasin në pritë mjekët e urgjencës; kam tradhtuar njerëzit që me thika vizatojnë kryqe në mishin mysliman. Me një fjalë, kam tradhtuar njerëzit që i kanë tradhtuar të gjitha normat e mundshme mbi të cilat ngrehet kodeksi moral i njerëzimit”, tha poeti që kishte refuzuar të bëhej pjesë e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, me propozim të boshnjakëve. Ishte justifikuar se shokët e dikurshëm të klasës do të talleshin kur ta mësonin se ai ishte bërë president.

“Unë nuk mund të udhëheq një klasë dhe jo më një shtet”, tha poeti që ishte kritik edhe ndaj elitave kulturore dhe politike malazeze, sepse e kishin përkrahur Serbinë e Millosheviqit, një akt që poeti e quan “turpi malazez”. Në një varg thotë se malazezët dinë ta teprojnë për të mirë e për të keq.

“Gjatë luftës 90 për qind të ortodoksëve i përkrahën verbërisht ata që sot duan t’i harrojnë”.

Mali i Zi udhëhiqej nga aleati i Milloshevqit, politikani Momir Bulatoviqi.

Veshoviqi, nëpër shkrimet e veta, ku e skenon programin shovinist serb, nuk i ka kursyer as sharjet kundër frymëzuesve dhe ekzekutorëve të luftës. Sipas tij, i verbëri pas një ideologjie beson se njerëzit tjerë janë të devijuar, të pavlefshëm, të padobishëm, tradhtarë. Gebelsi, ministri famëkeq i propagandës naziste, i shkruante Fyhrerit për disa robër anglezë të kapur diku në Saharë: “Tek ata, i dashur Fyhrer, nuk ka asnjë ideologji. Ata janë të privuar prej çdo virtyti njerëzor”. Marko Veshoviqi, duke iu referuar kësaj thënie, në kontekst të nacionalizmit serb, shkruan se, sipas kësaj logjike, njeriu pa ideologji është i zhveshur nga ajo që e quajmë njerëzore. “Projekti nacionalist e shuan gjithë njerëzoren tek ne”.

Në një shkrim ai e përmend rastin e një vajze shqiptare, të rrëmbyer diku në Kopaonik. Fqinja serbe i kishte lutur ushtarët serbë që ta lironin shoqen e saj të pafajshme, por ushtari serb e kishte therur shqiptaren. Sipas Veshoviqit, qoftë vetëm për këtë vrasje, do të duhej të pendohej i gjithë populli serb.

Veshoviqi, si pjesëtar i “vertikales morale të Ballkanit”, ishte kundër manipulimit me ndjenjat kombëtare dhe shndërrimit të kombit në turmë për të arritur qëllime të caktuara politike.

Poeti vazhdon të mbetet i zhgënjyer për sa kohë skena politike dominohet nga bashkëmendimtarët e Radovanit të Zi. Ai e kishte njohur mirë edhe Radovan Karaxhiqin, për të cilin thotë: “Ai përherë ka qenë një gënjeshtar, kurse në Hagë gënjen edhe më shumë”. Ai më nuk e sulmon Karaxhiqin sepse e ndien veten fitues moral kundrejt tij.

“Unë mund të vdes edhe nesër ose pas 5 apo 10 vjetësh, këtë askush nuk e di, por Karaxhiqi do të vdesë në burg dhe kjo është përparësia ime ndaj tij”.

Veshoviqi shpesh ishte tallur me poezitë e Karaxhiqit, veçmas me vargun: “Unë i kam shëruar lesbejket”.

Tani me Karaxhiqin e krahason Milorad Dodikun, prijësin e Republika Serpskës. “Ai është një Radovan Karaxhiq, që vepron me mjete të tjera”, thotë ai.

Vitet e fundit ka refuzuar disa çmime letrare për sa kohë laureatë të tyre kanë qenë frymëzues të kriminelëve të luftës ose të gjykuar për krime lufte, sikurse Karaxhiqi.

“Gjatë luftës, në kohën e rrethimit të Sarajevës, kam shkruar librin ‘Vdekja është mjeshtre nga Serbia’ dhe kam cituar Biblën: ‘Fol dhe shpëto shpirtin tënd’. Gjithçka që kam shkruar kundër kriminelëve serbë nuk mendoj se kanë pasur ndikim në rrjedhën e luftës, por e kam shpëtuar shpirtin. Vazhdoj ta bëj të njëjtën gjë. Unë nuk do ta pranoj çmimin me të cilin e kanë stolisur dhunuesin e Durmitorit”, tha gjatë refuzimit të një çmimi letrar, që më parë i ishte ndarë Radovan Karaxhiqit.

Në kohën kur ndodhte spastrimi etnik në Bosnjë, Karaxhiqi qe nderuar me disa çmime letrare. Një arsye përse nuk duhet të mahnitemi me çmimet letrare. Atij iu nda edhe çmimi “Mihaill Shollohov” i Shoqatës së Shkrimtarëve të Rusisë. Shkrimtari kroat, Predrag Matvejeviqi, në atë kohë i bëri thirrje inteligjencies ruse që ta korrigjonte këtë mëkat që përgjithmonë do t’ia rëndonte ndërgjegjen.

Veshoviqi ka polemizuar pothuajse me të gjithë shkrimtarët dhe intelektualët serbë që e përkrahën regjimin e Millosheviqit.

“Neve na godasin shkrimtarët. Na godasin bardët serbë”, janë vargjet e një poezie të Veshoviqit.

Në poezinë “Këto krisma” thuhet:

“Krismat na kanë hyrë në gjak.
Nuk mund të kthjellohesh pa krisma (si pa kafenë e mëngje-sit)”.

Në fillim krismat shkaktonin frikë e llahtari dhe shoqëroheshin me heshtjen e njerëzve të frikësuar, kurse pastaj bëheshin gjë e rëndomtë. Madje heshtja krijonte më shumë frikë, sepse nuk dihej se çfarë po përgatisnin çetnikët serbë.

“Heshtja na kall frikën deri në palcë.
Dhe sapo kërcet mitralozi qetësohem,
gruaja fillon ta përgatitë byrekun,
fëmijët rehatohen në shtëpi.
Sërish ka krisma, domethënë,
sërish gjithçka është në rregull”.

Në një shkrim i kundërvihet shkrimtarit Rajko Nogo, një përkrahësi të shovinizmit serb dhe mbrojtës i Radovan Karaxhiqit. E quan “rrëfimtar i errësirës”.

“Bardi nga Kalinoviku me dekada masturbon para popullit të egërsuar, i cili është shndërruar në turmë”, thotë për Nogon.

Në një shkrim tjetër polemizon me kolegun e vet të dikurshëm, politikanin serb të Bosnjës, profesorin universitar, përkthyesin, eseistin dhe njërin prej shekspirologëve më të njohur në ish-Jugosllavi, Nikola Koleviqin (1936-1997).

Koleviqi e kishte kërcënuar poetin se do ta ndiqte penalisht për shkak të fyerjeve kundër kombit serb. Veshoviqi, duke iu referuar mbiemrit, pra Koleviq, shkruan se ai tani po therte njerëz nga largësia. “Kolja” nga serbishtja përkthehet si “therje”.

“Unë tashmë jam i përndjekur. Granatat dhe plumbat e Nikolës ka 22 muaj që më ndjekin nëpër Sarajevë. Tri herë për pak sa nuk më goditën penalisht. Nikola vërtet është shakaxhi i rrezikshëm: më kërcënon me gjyq derisa rreth meje shpërthejnë granatat e tij… Që të më ndjekësh penalisht duhet të bësh edhe diçka të vogël: patjetër ta pushtosh Sarajevën… Fakti se e flas të vërtetën për këtë luftë gjithsesi se më bën kundërshtar të histerisë serbe, sepse të vërtetën në Bosnjë sot e flasin vetëm serbozhderët”.

Veshoviqi shkruante se urrejtja e Koleviqit ndaj boshnjakëve ishte urrejtje e hyzmeqarit ndaj padronit.

“Me shekuj ke pritur të hakmerresh për përçmimin që ta kanë bërë si hyzmeqar i turqve. Prandaj e thua se boshnjakët janë ‘popull parazit që janë mësuar përherë të jetojnë në llogari të të tjerëve’”.

Nikola Koleviqi ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Radovan Karaxhiqit. Më pas u largua nga Karaxhiqi dhe u afrua me Millosheviqin. Koleviqi thoshte se poezia i shpëton serbët, prandaj në kohën e kaosit të luftës organizoi orë poetike me poetët nacionalistë serbë. Në janarin e 1997-s ia shkrepi vetes dhe vdiq në Beograd.

Sot Veshoviqi shkruan për gruan e vet Gordanën, dashurinë e tij të përjetshme, e cila ka ikur në amshim. Ajo i qëndroi pranë në kohët më të vështira. Në rini poeti deshi ta braktiste, por sakaq hoqi dorë kur dëgjoi rrëfimin e saj.

“Kur për herë të parë i thashë se do të ikja prej saj, për shkakun e një gruaje tjetër me të cilën isha i dashuruar, ajo ma ktheu: ‘Kjo është në rregull. Por problemi është se ende të dashuroj’, fjalë që më kaluan nëpër zemër. Nuk ishte vetëm kjo që më shtyri të nesërmen t’i thosha tjetrës: ‘Nuk mund ta braktis gruan time”.

Në një varg kushtuar Gordanës thotë:

“A ka arritur deri tek ti lajmi i agjencive se të dua?”

Derisa ajo vuante nga sëmundja, poeti shkruante:

“Nuk di si të të ndihmoj, përveç se të të dua”.

Marko Veshoviqi jeton në Sarajevë dhe shfaqet rrallë në publik. Ai është sulmuar edhe nga nacionalistët boshnjakë. Kjo fushatë e preku aq shumë sa u zotua se më nuk do të shkruante për Sarajevën. Thotë se në gazeta e lexon vetëm rubrikën e shahut.

“Njerëzit blejnë dhe lexojnë gazeta për ta mësuar se cilin duhet ta urrejnë” dhe “e urrejnë atë që nuk e njohin”.

Për të Bosnja nuk është shtet, kurse bijën e tij e lut që të mos kthehet në Sarajevë, sepse qyteti i ëndrrave të tij më nuk ekziston.

Veshoviqi refuzon të takohet edhe me mikun e tij, poetin dhe skenaristin e njohur boshnjak Abdullah Sidran, prej se e pa bashkë me regjisorin Emir Kusturica, “laviren më të madhe intelektuale në Jugosllavinë e shpërbërë”. Se Veshoviqi nuk bën kurrfarë kompromisi as me miqtë e tij. “Ose me mua, ose me atë”, e porositi Sidranin.

Veshoviqi nuk sheh ndryshime në Serbi, veçanërisht në raport me të kaluarën. E kaluara, sipas tij, është si demoni: nuk mund t’i shmangesh, por duhet të përballesh me të. Serbët nuk duan të përballen me të kaluarën e errët. Ata ende besojnë se bota i urren dhe se e drejta hyjnore është në anën e tyre. Në Serbi u këndohet kriminelëve të luftës. Një këngë serbe thotë: “Të gjithë serbët janë ushtarë të Mladiqit”. Apo: “Gjeneral, nëse Zoti na bënë nderë, të na vini sërish në pranverë”. Në Serbi adhurohet Millosheviqi dhe kriminelët e luftës, si Karaxhiqi dhe Mlladiqi, përgjegjës për vrasjen e mijërave civilëve në Srebrenicë.

Hitleri serb ka shkuar në ferr, kurse himlerat dhe gebelsat serbë shfaqen nëpër ekrane televizive jo vetëm në Serbi, por edhe në Maqedoni.

Veshoviqi, i cili gjithë jetën kishte tentuar ta mësonte se çfarë ishte poezia dhe më pas e kishte kuptuar se ajo vetëm mund të jetohet, sot ndihet fitues moral kundrejt kolegëve të tij serbë, si: Dobrica Qosiqi, Desanka Maksimoviqi, Matija Beqkoviqi, Nogo, Gjoko, Milorad Paviqi apo kundrejt djajve të Kishës Ortodokse Serbe, që fshihen pas petkave të priftërinjve.

Veshoviqi mbeti Njeri. Të jesh Njeri, sipas tij, nuk është punë me leverdi, veçanërisht kur abuzuesit flasin në emër të kombit. /Marrë nga numri i gjashtë i revistës “Akademia”/

Në trend Kultura

Më shumë
Qyteti më i vjetër në botë!

Qyteti më i vjetër në botë!

Kulture
Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Kulture
Disa shënime mbi traditën moderne greke

Disa shënime mbi traditën moderne greke

Fjala+
DUKE FOLUR ME NJË MJELLMË

DUKE FOLUR ME NJË MJELLMË

Fjala+
Politika dhe gjuha angleze

Politika dhe gjuha angleze

Analiza
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Kalo në kategori