Kostoja e luftës pesëditore - Tajlanda vlerëson dëmin në më shumë se 266 milionë euro

Tajlanda ka vlerësuar koston fillestare të evakuimit dhe dëmeve materiale në mbi 10 miliardë baht (rreth 266 milionë euro), pas një konflikti pesëditor në kufi me Kamboxhian. Pritet që ndikimi përfundimtar ekonomik të jetë edhe më i madh.
Qeveria po përgatit një buxhet fillestar prej 25 miliardë baht (668 milionë euro) për të zbutur pasojat, ka deklaruar ministri i Financave i Tajlandës, Pichai Chunhavajira.
“Duhet të mbledh fonde për këtë, sepse kjo gjithashtu do të stimulojë ekonominë, duke pasur parasysh ndërtimet, riparimet e shtëpive dhe shumë të tjera. Ndoshta nuk do të mjaftojë dhe mund të na duhet të kërkojmë fonde shtesë”, ka shtuar ai, duke theksuar se vlerësimi fillestar i dëmeve ende nuk përfshin ndërprerjet në tregti.
Në një deklaratë të ndarë, Pichai tha se ministria e financave ka shpallur disa masa ndihme për të mbështetur qytetarët dhe bizneset e prekura nga konflikti në kufi.
Bankat shtetërore ofrojnë masa si shtyrje të pagesës së kredive, kredi me norma të ulëta interesi, rifinancim dhe përjashtim nga tarifat për të ndihmuar rimëkëmbjen, ka shtuar ai.
Masat fiskale përfshijnë zgjatjen e afatit për dorëzimin e deklaratave tatimore dhe pagesën e taksave deri në muajin shtator, si dhe lehtësime tatimore për shpenzimet e riparimeve – deri në 100 mijë baht për shtëpitë dhe 30 mijë baht për automjetet.
Qeveria gjithashtu ka ndarë nga 100 milionë baht për secilën nga provincat e prekura për nevojat lokale, me mundësinë e rritjes së shumës nëse do të jetë e nevojshme. /Telegrafi/




















































