Site icon Telegrafi

Kosova në OKB, Serbia kërkon veton ruse e kineze

Pas debatit dy ditësh për dialogun me Kosovën, parlamenti i Serbisë e autorizoi presidentin Aleksandar Vuçiq që t’iu shkruajë letër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin e kryetarit të Kinës, Xi Jinping.

Vuçiq, me anë të shkresës, duhet t’i lusë Moskën dhe Pekinin që të vendosin veto kurdo që në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) vjen në rend dite anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

Rusia, Kina, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe janë pesë shtetet anëtare të përhershme të  Këshillit të Sigurimit me të drejtën e vetos.

Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, thotë se zhvillimet e fundit gje-politike në botë  i bëjnë shanset e Kosovës për hyrje në OKB edhe më të vështira jo vetëm tani, por edhe në vitet në vijim.

“Në fund të fundit ky është qëllimi kryesor i Serbisë dhe Vuçiqit që të mos ketë anëtarësim të plotë të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, pra në OKB, sepse athëherë pesha e njohjes së Serbisë nuk do të kishte vlerë”, thotë drejtori në BPRG.

Zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi kanë dhënë sinjale se mund të ketë ujdi për normalizim raportesh me klauzolën se dy vendet s’pengojnë njëra-tjetrën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Rashiti shtoi se definicioni i marrëveshjes nuk mund të jetë i kufizuar se për cilat organizata bëhet fjalë.

“Faktori ndërkombëtar do të adaptohet dhe do të kërkojë një zgjidhje në kuadër të një “kornize evropiane” dhe kjo është ajo në të cilën po bëhet përpjekje. Megjithatë, normalizimi sigurt do ta ketë një prerogative që asnjëra nuk e pengojnë tjetrën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, tha Rashiti për Klan Kosova.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka 193 vende anëtare. Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor vetëm Kosova s’është anëtare.

Exit mobile version