Raporti Botëror i Lumturisë i Rrjetit për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së sërish ka vënë në pah vendet të cilat janë më të lumtura dhe sërish shtet nordike i prijnë listës.
Në raportin e publikuar bëhet e ditur se shteti finlandez i prin listës, si vendi më i lumtur në botë.
Pas Finlandës vijnë shtet tjera nordike, si Danimarka në vendin e dytë, Islanda në të tretin, Suedia në të katërtin dhe Holanda në të pestin.
Më pas vijnë Kosta Rika, Norvegjia, Izraeli, Luksemburgu, etj.
Por, ku qëndron Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit?
Në mesin e shteteve Ballkanike, qytetarët e Kosovës janë më të lumturit. Kosova ndodhet në vendin e 29 në listë.
Ndërsa pas Kosovës vjen Serbia në vendin e 31, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 56-të, Mali i Zi në vendin e 71, Maqedonia e Veriut në vendin e 86-të si dhe Shqipëria në vendin e 89.
Në raport thuhet se këto “vlerësime të jetës” e vënë fokusin në kënaqësinë e njerëzve me jetën.
Në përmbledhjen ekzekutive thuhet se fokusi në këtë raport ka qenë ndikimi i kujdesit nga personat tjerë dhe ‘përhapja’ e lumturisë.
“Ka shumë mënyra në të cilat ne kujdesemi dhe ndajmë me njëri-tjetrin. Ndoshta më universalja shembull është të ndarja e vakteve. Siç tregon kapitulli 3, të ngrënit i vetëm nuk është e mirë për mirëqenien tuaj. Njerëzit që hanë shpesh me të tjerët janë shumë më të lumtur dhe ky efekt qëndron edhe duke marrë parasysh madhësinë e familjes.
Rritja e numrit të njerëzve që hanë vetëm është një arsye për rënien e mirëqenies në Shtetet e Bashkuara”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.
Ndryshe, në korrik 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli një rezolutë, sipas së cilës Dita Ndërkombëtare e Lumturisë do të shënohet çdo vit më 20 mars.
Objektivi i kësaj dite është të theksohet se lumturia dhe prosperiteti nuk janë vetëm dëshira personale, por edhe qëllime globale. /Telegrafi/