Nga: Gëzim Tushi
Interneti dhe rrjetet sociale tashmë janë elemente të lidhura e të pandara me përditshmërinë e jetës sonë. Jemi përballë një fenomeni social të shfaqur globalisht, por që tashmë është bërë prezent, me virulencë të theksuar, që po shfaqet gjithnjë e më shumë me përmasa sociale e dimension të madh në shoqërinë shqiptare. Ky është një fenomen dhe realitet social dikotomik, që ka anën e ndritur, por edhe pjesën shqetësuese e problematike. Tashmë ka një shqetësim social të përgjithshëm në shoqërinë tonë, lidhur me fenomenin e shfaqjes së disa dukurive e anomalive psikosociale të sjelljes, që lidhen me zgjerimin e “epidemisë” së krijimit të vartësisë së njerëzve, sidomos të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve nga anomalia patologjike e “mbipërdorimit të teknologjisë dixhitale, internetit dhe rrjeteve të shumta sociale.
Nga pikëpamja sociale, jetojmë në një shoqëri, në të cilën njeriu gjendet në situata të determinuara për të rindërtuar “skemat tradicionale”, krejt të ndryshme në hapësirë dhe kohë duke vlerësuar realitetin e ndryshuara të lidhjeve elektronike dhe komunikimit dixhital në lidhjen e pashmangshme midis virtuales dhe reales. Duket se jeta e sotme shoqërore është vendosur në një “trekëndësh ekzistencial”, në të cilin janë të lidhura pothuaj pazgjidhshmërisht komponentët njerëzorë e teknologjikë që kanë krijuar lidhjen determinuese e pothuaj të pazgjidhshme midis internetit, individit dhe mbi këtë bazë edhe të krijimit të komuniteti virtual, që në strukturë dhe formë, gati po spostojnë format tradicionale të lidhjeve sociale dhe komuniteteve reale.
Shoqëria shqiptare, individë e grupe sociale të përfshira nga kjo situatë e re e lidhjeve dhe komunikimeve sociale, janë të shtrënguar në “darën” e imponimit të një “lloj imperializmi teknologjik”, nga i cili nuk mund të shmagesh, apo të kesh mundësi për “imunitet individual” apo të jesh shoqërisht i imunizuar. Duke e vlerësuar këtë situatë më gjerë dhe duke i parë realitetet e sotme, por edhe ato të perspektivës sociale, personalisht jam i prirur të mendoj se teknologjia, interneti, rrjetet sociale, janë bërë faktorë madhorë me ndikime përtej fushës së mbyllur të komunikimit social dhe interpersonal. Forca ndikuese dhe transformuese e tyre është e tillë, që gati me “fuqi imperialiste” dhe forcë hipersociale kanë diktuar dhe kanë bërë të mundur shfaqjen e një lloj stratifikimi social.
Madje, deri aty saqë edhe kanë diktuar shfaqjen përmes një komunikimi tërësor elektronik një strukturë sociale, që ka filluar sociologjikisht të emërtohet si “publiku egalitar”… Nga ana tjetër, janë shtuar shqetësimet dhe problemet nga anomalia e mbipërdorimit apo e kthimit të lidhjeve në rrjetet sociale, gati në formën e një vartësie të re që vjen nga kjo “drogë elektronike” dhe efektet mpirëse e paralizuese, që lidhen me një lloj idolatrizimi të skajshëm të teknologjisë, shoqëruar me “mbylljen e syve” para efekteve të destruktive. Kjo është një situatë që duhet parë me kujdes, sepse shoqëria moderne përgjithësisht, por edhe tek ne, po shfaqet një lloj tipologjie standarde, në të cilën, “Njerëz me pikëpamje të ngjashme përfundojnë bosh, për shkak se nuk mund t’i tresin diferencat inekzistente janë të burgosur në një dhomë të vogël jehone ku lexohen miliona versione të të njëjtit libër, duke dëgjuar të njëjtën këngë dhe duke ripostuar opinionet e tyre gjer në fund të kohërave” (Matt Haig “Shënime mbi një planet nervoz”, f. 126)
Është e vërtetë që lidhja e njeriut me rrjetet sociale është bërë prirje obsesive, një pandemi virale. Në esencë këto lidhje janë shprehje e nevojës që kanë njerëzit për informacion social “egalitar”, për lidhje të reja, të ngushta, të pashmangshme. Këto objektiva sociale e synime individuale të personalizuara të njeriut me teknologjinë e komunikimit masiv dixhital, janë bërë jo vetëm prioritare, por edhe synime të karakterit që janë bërë modus operandi dhe modus viventi.
Këto probleme nuk janë çështje sipërfaqësore, apo shqetësime sociale periferike, por thelbësore e ontologjike të lidhura me kulturën, sjelljen sociale, komportimin e interpersonalizuar të njerëzve tanë me njëri-tjetrin si qytetarë. Por për fat të keq, në mendimin sociologjik shqiptar, çështje të tilla me ndikim e peshë sociale të dukshme ose nuk trajtohen fare, ose ceken në mënyrë të sipërfaqshme. Duket sikur në heshtje ka një dakordësi pasive, miratim të këtyre realiteteve të çrregulluara në raporte ekzistenciale midis njeriut, shoqërisë dhe teknologjisë. Kjo është arsyeja sipas mendimit tim, pse është krijuar një gjendje e turbullt sociale që e bën okulte, të vështirë mundësinë që të shikosh apo të shqetësohesh me problemet që ke, kur në mënyrë totale edhe njerëzit e tjerë përreth teje kanë të njëjtat probleme. Mbi këtë bazë duket se lidhja dhe vartësitë virtuale në shoqërinë tonë, kanë marrë karakterin e pranuar e të pashqetësuar duke i dhënë statusin e “sjelljes normale”.
Padyshim duhet kujdes dhe sens mase, sidomos kur shoqëria përballet me dukuri të reja sociale. Kjo do të thotë që duke mosnënvleftësuar, por as mbivlerësuar anën pozitive të lidhjes së njeriut me shoqërinë nëpërmjet teknologjisë, nuk duhet në të njëjtën kohë të harrojmë, neglizhojmë apo të mos shikojmë anën tjetër të problemit, që ka të bëjë me përdorimin e gabuar, mungesën e etikës në komunikimin virtual, të cilat janë kthyer në realitete sociale tejet toksike, që duken dhe shfaqen si nxitëse e shprehjeve dhe rrënojave mendore e sociale, që shoqërojnë sjelljen e njerëzve në shoqëri. Faktet individuale, ngjarjet sociale, episodet e bullizmit, ngacmimit seksual, presioneve, shantazheve për qëllime kriminale, intervenimet banale në jetën personale të individit, tregojnë se përdorimi i internetit, shtimi i internautëve që përdorin gjerësisht rrjetet sociale, kohët e fundit janë kthyer në faktorë sociale me karakter destruktiv, që “helmojnë” jetën e përditshme të njerëzve përmes përdorimit cinik, të gënjeshtërt të “ngacmuesve të jashtëm” elektronikë.
Që kanë sjellë pasoja, reperkursione të gjëra individuale e sociale, e shpeshherë shkaktojnë konfuzion social, gjendje psikologjikisht kaotike, përtej limiteve e standardeve të njohura, të pranuara si forma e mënyra adekuate e funksionimit të shoqërisë postmoderne. Në këtë kontekst, mendoj se edhe shoqëria jonë, njerëzit tanë së bashku jemi në fazën e një “krize kolektive”, që është shndërruar natyrshëm, në mënyrë ekuivalente, e ngjashme me patologjinë intensive planetare, shoqëruar me sjellje të pashëndetshme antihumane. Shfaqjet e vartësië dixhitale si sindromë organike, në kulturën e përditshme, sidomos në synimet e personalizuara për protagonizëm, famë e dukje sociale, ka filluar jo vetëm të mos jetë shqetësuese, por po shfaqet paradoksalisht si sjellje e natyrshme, e përshtatshme për kohën që jetojmë. Natyrisht, duhet njohur dhe pranuar e vërteta, që këto janë kostot psikologjike që gjithë shoqëritë e tjera duhet t’i paguajë këtij raporti ontologjikisht të ri e të përmbysur të njeriut me teknologjinë dhe shoqërinë. Do e paguaj edhe shoqëria jonë.
Interneti, përdorimi intensiv dhe i zgjeruar i tij, është ndoshta një nga dukuritë e tipologjisë së jetës dhe marrëdhënieve të sotme sociale në Shqipëri, me fuqi ndikuese mbi konceptet, praktikat komunikative, veprimtarinë e ndërmjetësuar nga teknologjia e komunikimit dixhital. Sepse jemi në situatën, kur në përgjithësi kjo “patologji” është kthyer në dukuri mbarë demografike, moshore dhe gjeografike. Por me më shumë ndikim intensiv mbi fëmijët, adoleshentët dhe përgjithësisht moshat e reja. Në këto rrethana diçka duhet bërë. Sepse vetëm po të jesh i verbër, nuk mund të mos pranosh faktin se në shoqërinë shqiptare interneti dhe komunikimi përmes rrjeteve sociale është bërë “rrënja” më e thellë, që shoqërohet me ndryshime sociale në botëkuptimin, rendiment apo sjelljen sociale të njerëzve. Në mënyrë të sigurt, ritmi i ndryshimeve nga ky efekt, do jetë akoma më i përshpejtuar në të ardhmen. Një nga gjërat pozitive është padyshim karakteri demokratik e masiv i kanaleve të komunikimit social e interpersonal, që ka sjellë demokratizim të skajshëm të komunikimit.
Mbi të gjitha tashmë është krijuar një dukuri e re sociale, e cila sipas intelektualit Oliver Roy, ka sjellë krijimin e një lloj “publiku egalitar”, që navigon, njeh dhe konsumon të njëjtën “lëndë” duke krijuar strukturën e një shoqërie që ka mundësi të barabarta në lidhjen, komunikimin dhe informacionin qarkullues elektronik. Jemi në situatën kur nxënësi e studenti, qytetari dhe banori rural, intelektuali dhe i papuni, pensionisti, të rinjtë, burrat dhe gratë janë me të drejta të barabarta në këtë konsum të informacionit elektronik. Qoftë politik apo kulturor, global, rajonal apo nacional, i vërtetë apo i gënjeshtërt. Një realitet që ka prekur politikën, ekonominë, arsimin, shkencën, kulturën, shëndetësinë, ushtrinë. Për të kuptuar thellësinë e këtij procesi, vlen mendimi Profesorit të Universitetit Hebraik të Jerusalemit, sociologut të shquar Yoval Noah Harari, sipas të cilit teknologjia jo vetëm po i jep formë botës sonë, por është duke rimodeluar edhe vetë njerëzimin.
Ne nuk kemi statistika sesa është përqindja e popullsisë shqiptare që ka lidhje me internetin, apo sesa herë në muaj njerëzit tanë përdorin “Facebook”-un. Por me siguri që është në rritje masa sociale e njerëzve që kanë mundur, përmes telefonave celularë (smartfonëve) të kenë akses të zgjeruar në internet. Si konkluzion i përgjithshëm sociologjik, është e udhës dhe duhet pranuar se kjo që po ndodh në shoqërinë tonë nuk është rastësi nuk është situatë e papritur apo anomali sociale. Sepse ky “është thelbi i natyrës universale të shoqërisë së informacionit, rrjetëzimit… dhe “komunikimi i përshpejtuar”.
Në këto kushte, të gjithë ndodhemi në situatën, kur jetojmë të përfshirë nga ekzistenca e intermexos sociale, që është një realitet ontologjik, i cili e ka vendosur individin para detyrimit obligativ që brenda kësaj situate të mësojë, të dijë të orientohet, të garantojë ekzistencën e sigurt, duke qenë vazhdimisht midis determinimit të nevojës së pashmangshme e të përditshme të lidhjes individuale dhe komunikimit social, një realitet në të cilin njeriu është në “kapërcyell”, duke qenë midis “shoqërisë së vogël dixhitale”, duke mos harruar peshën e ndikimit ekzistencial që ka mbi të “shoqëria reale”, e të vërtetë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian