Komuna e Pejës ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për “Sportistin e Vitit 2024”, një ngjarje që përkoi me periudhën e fushatës zgjedhore.
Aktiviteti shënoi arritjet e sportistëve lokalë dhe ishte një nga ngjarjet e rëndësishme të kalendarit kulturor dhe sportiv të qytetit.
Sipas një fotografie të publikuar nga Peja në Fokus, në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe së paku tre kandidatë për deputet nga radhët e LDK-së, partia që aktualisht qeveris Komunën e Pejës.
Në mesin e tyre ishin Xhenet Syka, një nga organizatorët e ceremonisë, si dhe Sadri Berisha dhe Albulena Mujaj Bajraktari.
Ngjarja, ndonëse kishte qëllim nderimin e sportistëve, ka ngjallur diskutime për shkak të pranisë së figurave politike gjatë një periudhe të ndjeshme siç është fushata zgjedhore.
Pavarësisht kësaj, ceremonia përmbylli me sukses qëllimin e saj për të vlerësuar përpjekjet dhe sukseset e sportistëve të Pejës gjatë vitit 2024. /Telegrafi/