Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka bërë të ditur se komuna ka nisur aksionin për shkatërrimin e deponive ilegale të mbeturinave, duke theksuar se ky veprim është pjesë e zbatimit të rendit dhe ligjit dhe mbrojtjes së shëndetit publik.

Në një njoftim të publikuar në Facebook, Thaçi ka deklaruar se deponitë ilegale janë pasojë e viteve të neglizhencës dhe përbëjnë rrezik serioz për qytetarët dhe mjedisin.


“Si komunë, kemi nisur shkatërrimin e deponive ilegale sepse rendi dhe ligji nuk janë opsionale. Këto deponi dëmtojnë drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve tanë dhe mjedisi publik nuk është vend për mbeturina, por për jetë dinjitoze”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka shtuar se ky aksion është obligim institucional dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve të Obiliqit, duke paralajmëruar se komuna do të vazhdojë me veprime konkrete në terren.

“Komuna po vepron dhe nuk do të ndalet”, ka përfunduar kryetari i Obiliqit.

Nga Komuna e Obiliqit është bërë e ditur se aksionet për largimin e deponive ilegale do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të krijimit të një mjedisi më të pastër dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/