Me rastin e shënimit të përvjetorit të 26-të të Betejës së Koshares, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka nderuar trimat e kësaj beteje, e cila cilësohet si një ndër betejat më të rëndësishmë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në postimin e bërë nga Komuna e Gjakovës thuhet se jeta dhe kontributi i këtyre ushtarëve lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë, duke shtuat tutje që popully ynë duhet të vazhdojë t’i kujtojë ata që dhanë gjithçka për atë që ne gëzojmë sot.


“Jeta dhe kontributi i tyre i pashoq në luftën për liri, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë. Ndërsa neve, nuk na mbetet tjetër veçse t'i kujtojmë e nderojmë çdo ditë që frymojmë lirshëm, duke punuar me nder e vizion për vendin tonë.”

Kujtojmë që në Kosharen e lavdishme, prehen trupat e 114 ushtarëve të Brigadës 138 të UÇK-së, të cilët në krye me Komandantin Agim Ramadani, 26 vite më parë, zhvilluan një luftë të përgjakshme kundër ushtrisë serbe, duke arritur të marrin në kontroll kufirin Kosovë - Shqipëri.