Siguria në Komunën e Shtimes po vazhdon të mbetet e qetë dhe stabile. Kjo për shkak të angazhimit që po e bën stacioni i Policisë në këtë Komunë që drejtohet nga komandanti-Toger Haxhi Behluli.
Komandanti Behluli, po vazhdon me aktivitete dhe takime të ndryshme të punës me qëllim të përmirësimit edhe më të mirë të sigurisë në këtë komunë.
Në ambientet e stacionit policor të Shtimes, gjatë së hënës është zhvillua një takim pune ndërmjet komandantit Behluli dhe Kryesueses së Komitetit për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, Albana Podvorica Hoxha e cila njëherësh është edhe kuvendare nga radhët e PDK-së në Shtime.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë për Telegrafin se ky takim pune në Shtime kishte për qëllim trajtimin e çështjeve që prekin të rinjtë, përfshirë sigurinë, angazhimin dhe përmirësimin e kushteve për ta në komunën e Shtimes. .
“Gjatë diskutimit, u theksua rëndësia e sigurisë në shkolla, duke e cilësuar atë si prioritet për mbrojtjen e nxënësve dhe mësimdhënësve. Palët u dakorduan për bashkëpunim të vazhdueshëm me qëllim të krijimit të një mjedisi më të sigurt dhe përfshirjes aktive të institucioneve në mbështetjen e të rinjve. Policia, veçanërisht njësia sektoriale, do të luajë një rol kyç në këtë proces, duke bashkëpunuar me organizatat relevante për të organizuar aktivitete sensibilizuese dhe parandaluese, me qëllim largimin e të rinjve nga dukuritë negative dhe promovimin e një angazhimi pozitiv në komunitet”, ka thënë Veseli. / Telegrafi/