Site icon Telegrafi

Kjo është mënyra më e mirë e përgatitjes së kafes

Provojeni në mënyrën e vjetër – më të mirë kurrë nuk keni pasur rastin të pini!

Ka diçka të veçantë në kafen turke! – transmeton Telegrafi.

E para dhe themelorja, për kafe të mirë turke është e nevojshme përzierja cilësore dhe prandaj mos kurseni në të – pini për t’u kënaqur, jo vetëm sa për ta pirë! E dyta, pakkush e di që për kafen turke për fillim uji nuk duhet të vlojë!

Në xhezve uji nxehet deri mu para vlimit, pastaj hiqet nga zjarri. Një pjesë e ujit qitet në filxhan, ndërkaq në pjesën tjetër shtohet kafja (nga një lugë të vogël të plotë për çdo filxhan apo më shumë nëse filxhanët janë të mëdhenj apo nëse dëshironi kafe shumë të fortë).

Përzieni që të mos mbeten droçka, pastaj kthejeni në zjarr dhe kur të bymehet deri në skajin e xhezves sërish hiqeni nga zjarri dhe shtoni ujin të cilin në fillim e keni qitur në filxhan.

Sërish kthejeni në zjarr dhe lëreni të vlojë. Hiqeni nga zjarri, prisni disa sekonda dhe shtoni një lugë të vogël ujë të ftohtë. Atëherë kafja do të jetë e gatshme për t’u pirë!

Gabimet themelore te përgatitja e kafes

– Përzierja e tepërt e shkatërron shijen;

– Lënia që disa herë të ngrihet deri në skajin e sipërm të xhezves shkatërron shkumën dhe ndryshon shijen e kafes;

– Përzierja pasi që kafja të jetë e vluar, shumë e nxehtë dhe e hequr nga zjarri gjithashtu do të ndryshojë shijen e pijes së parapëlqyer të mëngjesit;

– Nëse kafja ëmbëlsohet, sheqerin më së miri është t’ia shtoni derisa është uji i ftohtë në xhezve, para zierjes së kafes.

Provojeni, edhe vetë do të bindeni që shija është ndryshe – më e mirë! /Telegrafi/

Exit mobile version