Në seancën e Kuvendit të Kosovës, me shumicën e votave të deputetëve është votuar Qeveria e re, e cila do të drejtohet nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas marrëveshjes së koalicionit që u arrit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe komunitetet jo-serbe.
Në bazë të marrëveshjes së koalicionit të arritur, AAK-ja në Qeverinë Hoti do të udhëheqë me katër ministri dhe pozitën e zëvendëskryeministrit.
Në Qeverinë Hoti nga AAK-ja, zëvendëskryeministër do të jetë Besnik Tahirin, ministre e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ministër i Drejtësisë, Selim Selimi, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi dhe ministër i Arsimit, Ramë Lika.
Më poshtë gjeni profilet e zëvendësministrit dhe ministrave të AAK-së:
Besnik Tahiri – Zëvendësministër
Besnik Tahiri ka lindur më 1 korrik të vitit 1975. Tahiri ka studiuar në Universitetin e Birmingham. Në institucionet e Kosovës, ai ka pasur vazhdimisht disa pozita të larta. Besnik Tahiri ka qenë koordinator për Reforma Shtetërore në Qeverinë e kaluar, ndërsa ka qenë edhe këshilltar i lartë në Institutin kombëtar Demokratik, ka pasur pozitën e këshilltarit të lartë të kryeministrit në Qeverinë Haradinaj dhe ka qenë këshilltar politik në OSCE. Tahiri ka qenë zëdhënës i AAK-së dhe ka qenë kandidat për kryetar të Prishtinës. Është i martuar me Nora Luzha Tahiri dhe kanë tre fëmijë.
Meliza Haradinaj – Ministre e Punëve të Jashtme
Meliza Haradinaj, ka kryer studimet bachelor në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), në drejtimin politika publike. Studimet postdiplomatike, Haradinaj i kreu në Universitetin e Oxfortit, përmes bursës së qeverisë britanike, në drejtimin Diplomaci. Haradinaj u zgjodh asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës gjatë vitit 2009-2013, ndërkaq më vonë themeloi edhe Institutin Kosovar për Diplomaci, organizatë kjo për avancimin e interesit shtetëror të Kosovës në shoqërinë ndërkombëtare. Meliza është pjesë e kryesisë së AAK-së. Meliza Haradinaj është e martuar dhe ka dy fëmijë.
Selim Selimi – Ministër i Drejtësisë
Selim Selimi ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, pastaj në Universitetin e Turinit në Itali dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Universitetin “Duke”. Selimi është jurist, ndërkaq ka qenë këshilltarë i ish-presidentes, Atifete Jahjaga ndërsa, po ashtu ka koordinuar punën e Këshillit Kombëtar anti-korrupsion kryesuar nga Jahjaga. Para se të bashkohej me ekipin e Jahjagës, Selimi ka punuar për OSCE, UNDP dhe departamentin Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara. Selimi në qeverinë Haradinaj ka pasur pozitën e shefit të stafit Haradinajt dhe është anëtar i kryesisë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Blerim Kuçi – Ministër i Zhvillimit Ekonomik
Blerim Kuçi ka lindur më 03 prill 1963 në Suharekë. Ka qenë deputetë i Kuvendit të Kosovës në periudhën e gjashtë legjislative (03.08.2017 – 22.08.2019), kurse funksionet në Kuvendin e Kosovës kanë qenë komisioni Ad-hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social, zëvendëskryetar i parë në komisionin për Buxhet dhe Financa.
Ramë Lika – Ministër i Arsimit
Ramë Lika ka lindur më 24 mars të vitit 1971. Lika është me prejardhje nga Deçani dhe aktualisht është profesor i Inxhinierisë Mekanike, në Universitetin e Prishtinës, aty ku edhe i ka përfunduar studimet. Është i vetmi nga ministrat e AAK-së nuk ka pozitë në strukturat e partisë.