LAJMI I FUNDIT:

Karagjorgjët e Kelmendit dhe të vërtetat tjera: Përrallat që për serbët u bënë fakte historike

Karagjorgjët e Kelmendit dhe të vërtetat tjera: Përrallat që për serbët u bënë fakte historike

Shkruan: Miroslav Çosoviq
Përktheu: Telegrafi.com

Pa hezitim, mitet po i promovojnë edhe historianët e famshëm, ata që në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi (CANU) janë pranuar si studiues e jo si shkrimtarë. Për mendimin tim, një i tillë që i paraqet mitet si histori, është akademiku CANU-së, Miomir Dashiq. Më poshtë do të publikojmë ato që ka shkruar ai në lidhje me një temë dhe atë që e thonë burimet historike. Kështu, vlerësojeni ju se kush ka të drejtë.

Miti se Karagjorgji ishte me origjinë nga fisi Vasojeviq, u hap nga kush tjetër pos mësuesi i Njegoshit, Sima Milutinoviq Sarajlija. Vuku (Karaxhiqi) ua dha serbëve modernë një gjuhë, bazën e së cilës e merr nga gjuha e malazezëve, dubrovnikasve dhe hercegovasve, si p.sh. shkronjën “h” të cilën Vuku për herë të parë e shtypi në Cetinjë më 1836, e që ua dhuroi serbëve. Vuku është padyshim serbi më i madh (i ri). Gjatë historisë së serbëve modernë dhe mesjetarë, vetëm Shën Sava i tyre është figurë më domethënëse se Vuku, sepse Shën Sava e ndau Kishën Serbe nga Kostandinopoja, duke krijuar kështu një “fabrikë” për prodhimin e serbëve të rinj. Posa ka hyrë në kishën serbe një shqiptar, vllah bullgar, rom, morlak, malazez… ai u bë serb!


Ideologjia bashkëkohore serbe, në një masë të madhe është vepër e Simë Sarajlisë. Kultet e Karagjorgjit, Obiliqit, Dushanit… u përhapën nga ai, ndërsa ishte e rëndësishme për serbët që gjithë ato t’ia përcillte nxënësit të tij, Petrit të II-të Njegoshit. Mitet dhe përrallat që i mori nga Sarajlija, Njegoshi i përhapi në mesin e malazezëve, duke i paraqitur si fakte historike. Kështu, në këngën “Srbijanka” (Lajpcig, 1826), Sima Sarajlija thotë: “Djali i lindur si Vasojeviq”… Sarajlija është gjithashtu autor i përrallës (të cilën ia kaloi Njegoshit), sesi malazezët janë në fakt disa serbë që ikën në Malin e Zi. Edhe në vitin 1826, para se të shkonte në Mal të Zi, te “Srbijanka” thoshte: “Mali i Zi, Olimpi ynë i vërtetë/ Mali i Zi, një strehë e serbëve!… / Pak jeni, por shumë mundeni… / Malazezët! E vërteta e etërve Serbë…”! Dhe, kështu, në dhjetor 1840, Njegoshi e lëshoi një vërtetim për djalin e Karagjorgjit, Aleksandrin, ku thotë se e kanë prejardhjen nga fisi Vasojeviq.

Deri në shekullin XIX, malazezët nuk e kanë mohuar origjinën shqiptare
Lexo po ashtu Deri në shekullin XIX, malazezët nuk e kanë mohuar origjinën shqiptare

I kam lexuar disa libra akademikësh, e mund të them se libri “Vasojeviqët, që nga përmendja e deri në vitin 1860” është i dobishëm, meqë ofron shumë informacione. Por, Dashiqi e botoi këtë libër më 1986, ndërsa u pranua në CANU më 1991. Vazhdimi i mitit është ky: Në vitin 1996, Dashiqi e botoi librin “Karagjogjët nga vasojeviqët”, ku pretendimet e tij i mbështet pothuajse ekskluzivisht në legjenda, e jo në burime historike (dokumente). Historianët citohen vetëm në rastet kur nuk ka asnjë burim historik për një ngjarje, ndërsa traditat e shekullit XX që gjurmojnë legjendat e vjetra, bëhen legjenda të reja ose përralla. Një akademik që njeh në mënyrë të përsosur metodologjinë e librave të historisë, nuk guxon të mendojë e lëre më të botojë një libër si ajo e vitit 1996.

Libri “Karagjogjët nga vasojeviqët”, duket si monografitë fisnore që janë shkruar viteve të fundit në mënyrë masive nga pensionistët – ekonomistë, avokatë, inxhinierë … Në shumicën e këtyre monografive që u krijuan në shekullin XX, kështu shpjegohet origjina e fiseve: “Sipas traditës (ose – thuhet), stërgjyshi ynë erdhi pas Betejës së Kosovës në vitin 1389 …”! Ato gjërat që janë shkruar në shekullin XIX ose në fillim të shekullit të XX, janë transformuar në përralla.

Kështu, akademiku Dashiq e botoi një libër ku vazhdimisht i referohet legjendave, në fakt përrallave, meqë shkruan: “Te Vasojeviqët, dhe viset tjera të Malit të Zi, ekziston, megjithatë, një rrëfim shumë i bindshëm, përfshirë dëshmitë e shkruara, se gjyshi i Karagjorgjit, Jovani, dhe babai Petri, nga lugina e Limës u zhvendosën në Shumadi, ndoshta rreth vitit 1740. Kështu, sipas një rrëfimi të shënuar nga Dr. Radosllav Veshoviq, gjashtëdhjetë vjet më parë në lumin Lijeva, nga Jovani, Aleksini, M. Paunovi dhe lijevasit e tjerë, të cilët iu referuan thënies së hershme të ‘urtakut të njohur’ Musha Bajov, paraardhësi i Kargjorgjit ishte nga fshati Lopata” (f. 35)

Në të njëjtën faqe, Dashiqi shkruan se disa të vasojeviqë mendojnë se ai nuk është nga Lopata, por e vazhdon rrëfimin e njëjtë, tash pak më ndryshe: “Në fshatin Kral, jo larg Andrijeviqit, fisi Vasojeviq e Gjurishiq pohojnë se gjyshi i Karagjorgjit, vëllai tyre i larguar, ka shkuar nga Krali në Serbi”.  (f. 35)

Karagjorgji pra është i fisit Vasojeviq, por as vet vasojeviqët nuk mund të pajtohen se nga cila pjesë e tyre është. Kështu, Dashiqi sërish krijon përralla të reja: “Popi Milosh Velimiroviq, familja e të cilit ka jetuar më gjatë në Kral (Velimiroviqët janë, meqë ra fjala, zagarqanë, dhe nga kjo familje e famshme, e cila deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, por nuk dihet se nga kur, ka jetuar te vasojeviqit, nga ta del Peshkopi Nikolaj Velimiroviq), në shënimet e tij e ruajti tregimin që kishte dëgjuar, se paraardhësit e Karagjorgjit janë nga poshtë Beranit, nga Bihori, nga fshati Cërnqe, nga serbët vasojeviqë, ku, deri te shpërngulja e tyre në Shumadi kanë jetuar si çifligarë të begut Gjorgjeviq. Ky rrëfim e di se pak vëllazëri të gureshiqëve nga Bihori me krenari e theksojnë se janë kushërinj të vozhdit (se e festojnë Shën Klementin) dhe se kësaj farefisnie me gureshiqët iu përmbajt edhe Karagjorgji” (f. 35)

Të shohim tash se çfarë thonë historianë tjerët, domethënë burime historike.

Karagjorgji është me origjinë nga Klimenti (fisi Kelmend), pra shqiptar katolik: Gjorgj Petroviq Karagjorgji, udhëheqësi i Kryengritjes së Parë Serbe, është me origjinë katolike i fisit Kelmend. Sipas Rajko Veselinoviqit (Histori e Popullit Serb, Libri i katërt, vëll. I, Serbët në shekullin e tetëmbëdhjetë, Beograd 1986, f. 160), më 1739, 300 familje katolike nga Kelmendi u larguan nga Kosova. Shumica e tyre u zhvendosën në Nikinc dhe Hërtkovc, në Vojvodinën e sotme, por disa u vendosën poshtë malit Rudnik në Shumadi, e mes tyre ishte gjyshi i Karagjorgjit. Akademiku i SANU-së, Mita Kostiq, në ditoren “Politika” të 21 majit 1923, në artikullin “Arnautët në Srem”, thotë gjithashtu se kelmendasit katolikë u vendosën nën Rudnik dhe Avallë.

Në ueb-faqe zyrtare të Karagjorgjëve, thuhet se ata e festuan Shën Klementin e Romës e se “para se të festonin Andrijevdanin, Karagjorgjët festonin Shën Klementin si emër pagëzimi (i cili në kalendarin e kishës është më 8 dhjetor, sipas të riut, ose 25 nëntor sipas kalendarit të vjetër)”.

Miomir Dashiq nuk u pranua në CANU si shkrimtar i përrallave dhe tregimeve, por si historian. Atij, si historian, i janë të njohura dokumentet nga arkivat e Parisit që u botuan mbi 100 vjet më parë. Sidoqoftë, akademiku Dashiq, i intoksikuar nga ëmbëlsira serbe, thjesht i hesht këto burime të besueshme historike në librin e tij të vitit 1996.

Kështu, i kemi dy letra dërguar Qeverisë në Paris, nga Ballkani, nga komandanti ushtarak francez Meriazh, ku thuhet qartë se Karagjorgji është me origjinë nga Kelmendi. Akademia Mbretërore Serbe, më 1904 e botoi librin “Shënimet nga arkivi i Parisit” dhe libri përmban raporte të Meriazhit për qeverinë në Paris. Më 21 shkurt 1810, ndër të tjera ai shkroi: “Kalaja e Kelmendit është vatra e Gjegjit të Zi dhe shumica e të afërmve të tij jetojnë atje e ata janë krerët e këtij rajoni” (f. 522)

Në një raport tjetër, të datës 14 korrik 1811, kur Karagjorgji ishte akoma gjallë dhe në krye të serbëve, Meriazh tha: “Familja e Karagjorgjit është nga Kelmendi, Mali i Zi i Lartë, fiset e të cilit janë nën ndikimin e tij” (f. 622)

Këto dy letra u përmendën gjithashtu në të përditshmen “Dan”, në rubrikën e fejtoneve, më 8 janar 2006. Meriazhi me Malin e Zi të Lartë e kishte fjalën për Malësinë. Francezi saktëson. Malësorë ishin: (fiset – vj.) Piperi, Vasojeviq (Vasa – v.j.), Moraçani, Kuçi, Rovçani, Bratonozhi dhe Bjelopavliqi (Palabardhi – v.j.), dhe gjithashtu deri në shekullin XIX malësorë ishin fiset shqiptare, Kelmendi, Hoti, Gruda… Fjala jonë “Bërgjanin” dhe fjala shqipe “Malësor” kanë të njëjtin kuptim.

Se Karagjorgji ishte kelmendas, këtë Meriazhit ia dha i deleguari i Karagjorgjit, Rada Vuçiniq. Ja çfarë thuhet në parathënien e librit të shkruar nga Mihailo Gavriloviq (Gavriloviq mblodhi edhe dokumente nga arkivat e Parisit): “Pas hyrjes së Napoleonit në Vjenë, më 1809, Meriazhe u emërua komandant i kryeqytetit austriak. Por, shpejtë, sekretari i tij, Zheniar, kapet në tradhti dhe pushkatohet, kështu që Meriazhe dërgohet në gjyq, nga ku lirohet si i pafajshëm. Kjo aferë bëri që për një kohë të mbetet pa punë. Në atë kohë futet në mision Rada Vuçiniqi, të cilin Karagjorgji e dërgoi ta lusë Napoleonin për ndihmë dhe mbrojtje. Ministri i Punëve të Jashtme i urdhëroi Meriazhit të fillonte negociatat me të dërguarin serb (tetor 1809), dhe më pas u urdhërua të shkonte në Lubjanë ku do të negocionte më tej. Me arritjen e Rado Vuçiniqit në Paris (maj 1810), roli i Meriazhit në Lubjanë, për çështjen serbe, u bë i parëndësishëm”. (f. XIX)

Pra, meqenëse Meriazhi ishte urdhëruar të negocionte me serbët, në tetor 1809 ai u takua me të dërguarit serbë në Lubjanë dhe qysh në shkurt 1810 e dërgoi një raport në Paris ku thotë se Karagjorgji ishte kelmendas, siç i thanë vetë delegatët e tij të kryesuar nga Rado Vuçiniqi.

Historiani Dashiq nuk i futi këto dokumente historike në librin e tij mbi origjinën e Karagjorgjëve.

Edhe Andrija Lluburiqi mblodhi materiale mbi origjinën e Karagjorgjëve, shumë përpara Dashiqit: Arkivat e Serbisë përmbajnë një koleksion të Lluburiqit që e hulumtoi origjinën e Karagjorgjëve, dhe këtë koleksion e rishikuan Millorad Boshnjaku dhe Sllobodan Jakovljeviqi, e një pjesë të atyre shkrimeve dolën në librin “Karagjorgjët: Historia e fshehur” (Lio, 2006).

Në Koleksionin e Luburiqit “është ruajtur teksti origjinal i poezisë ‘Vojvoda Jovan Mërshiq Kelmendi, gjyshit i Karagjorgjit’ dhe turqit turqit e Plavës’ me autor një misionari katolik, një nga të shumtët që në shekujt XVII-XVIII shkuan me misione në Kelmendin e besimit katolik. Në të njëjtin material arkivor ekziston edhe një koment për poezinë, nga ku mësojmë se emri origjinal i gjyshit të Karagjorgjit, sipas linjës atërore, ishte: Gjin Marash Kelmendi”. (faqe 9)

Pra, Lluburiqi ka shumë citate dhe poema që tregojnë se gjyshi i Karagjorgjit ishte kelmendas dhe ato janë më të besueshme se ato që i paraqet Dashiqi, pasi janë më të vjetra.

Para Luftës së Dytë Botërore, Karagjorgjët janë deklaruar se janë me origjinë nga Kelmendi: Andrija Lluburiqi me vite e hulumtonte origjinën e Karagjorgjëve, e me këmbëngulje pretendonte se ishin me origjinë nga Kelmendi. Boshnjaku dhe Jakovljeviqi thonë: “Sipas dokumentacionit të disponueshëm në Arkivin e Serbisë, Andrija Llluburiq ishte ftuar shpesh në audicione në oborrin e Karagjorgjit, nga 25 janari 1929 e deri më 14 nëntor 1939, me qëllim që të diskutonte origjinën e Karagjorgjëve nga Kelmendi”. (f. 36)

Në koleksionin e Lluburiqit në Arkivin e Serbisë, është edhe ky shënim i 24 korrikut 1940: “Më 1933, mbreti Aleksandër i tha një prijësi shqiptar: ‘Unë dhe babai im, Qeveria dhe Shtabi i Përgjithshëm duhet të jemi falënderues për jetët tona veç pse jemi kelmendas, sepse kelmendasit urdhëruan të mos e prekin njeriun e fisit të tyre, Mbretin Petër, se ata do të hakmerren. Atëherë ata hoqën dorë” (f. 37)

Në vitin 1936, Andrija Lluburiqi këshilloi shtëpinë mbretërore të Karagjorgjëve sesi “Karagjorgjët Kelmendas mund të jenë me rëndësi për kauzën serbe”. Në këtë plan serbomadh (një nga të shumtët), Luburiqi shkroi: “Fisi më i famshëm dhe kryesor shqiptar i Kelmendit ka origjinë serbe dhe ajo e dha udhëheqësin e pavdekshëm, vozhdin Karagjorgj”. (f. 42) /Burimi: portalanalitika.me. Titullin origjinal: “Miti se Karagjorgji Petroviqi ishte me prejardhje nga vasojeviqët/

Malazezi më i urryer në Serbi: Flet për origjinën shqiptare, të shenjtit serbë i quan gjenocidalë, kasapë, gjakatarë e pedofilë
Lexo po ashtu Malazezi më i urryer në Serbi: Flet për origjinën shqiptare, të shenjtit serbë i quan gjenocidalë, kasapë, gjakatarë e pedofilë