Ju prezantojmë Isalin, të riun nga Zhelina e Tetovës që tashmë është i angazhuar me një profesion të ri, refer futbolli në kategorinë e dytë në Itali.
Telegrafi Maqedoni ka folur me Isal Ramadanin për të treguar rrugëtimin e tij prej kamarieri në Zhelinë, e deri në referimin e kategorisë së dytë në futbollin italian.
Isali thotë se rrugëtimin e referimit e ka nisur shumë vonë. “Të kisha nisur më herët, sot do të referoja ekipe të mëdha në Seria A”.
Isal Ramadani është 33 vjeçar nga Zhelina e Tetovës. Para se të emigronte në Itali, ai në fshatin e tij ka punuar nëpër restorante dhe kafeteri si kamarier. “Dhe, erdhi një moment që duhej të shkoja në Itali, për një jetë më të mirë” tha ai.
“Edhe në Zhelinë jam marrë me sport dhe kam luajtur në ekipin e atëhershëm të fshatit. Erdha në Itali dhe këtu vazhdova të punoj si kamarier por nisa edhe rrugëtimin e referimit” tha për Telegrafi Maqedoni, Isal Ramadani.
Ai thotë se ndjehet krenar për punën që e bënë. “Italia dhe referimi më herët ishin një botë e panjohur për mua. Por, me edukimin e duhur dhe me ambientimin në këtë shtet kam arritur të jem i përgatitur dhe i saktë për punën që bëj” ka vazhduar Ramadani.
Ai thotë se i pëlqen kjo punë pasi gjatë fundjavave duhet të udhëtojë për të referuar nëpër stadiume të ndryshme. “Çdo javë më vjen të shkoj në qytet tjetër për të referuar një ndeshje tjetër. Dhe kjo për mua është kënaqësi” ka shtuar ai.
Në pyetjen rreth planeve të tij, ai ka thënë se do të vazhdojë të merret me referim dhe në të ardhmen do të fillojë edhe edukimin për të vazhduar edhe si vëzhgues i referëve të rinj.
Ai të rinjëve ju thotë se duhet të ndjekin rrugëtimin që e kanë pasion dhe e duan. Sipas tij, çdo profesion ka pasionin brenda dhe duhet të gjendet pasioni për të ushtruar profesionin. “Ata që nuk kanë pasur sukses si futbollistë apo kanë pasur ndonjë lëndim që ju ka penguar zhvillimin, është mirë që të vazhdojnë me referim pasi je afër me futbollin” tha Ramadani për Telegrafi Maqedoni.
Përndryshe, Isali është në Itali që nëntë vite dhe ndërkohë gjatë javës kur nuk është i angazhuar si refer, punon edhe në një fabrikë në vendin ku jeton. Ai referon edhe nëpër ndeshje të grupmoshave të reja por edhe në futboll për femra. /Telegrafi/