Nga: Ermal Mulosmani
“Kush është” – tha Kandidi – “ai derr me zile që më flet aq keq për pjesën që më pëlqeu aq shumë sa derdha lot dhe për aktorët që më pëlqyen aq tepër”?
“Është një maskara” – iu përgjigj abati, “që e kalon jetën duke folur keq për të gjitha pjesët teatrale dhe për të gjithë librat. Ky njeri urren cilindo njeri që fiton, porsi eunukët, që urrejnë të gjithë ata që gëzojnë jetën; ai është një nga gjarpërinjtë e letërsisë të cilët ushqehen me llum dhe helm; është një kalemxhi”.
***
Ky episod i shkëputur nga Kandidi i Volterit mu kujtua teksa lexova një shkrim-përshkrim-intervistë të Ben Blushit me Ismail Kadarenë dhe Alda Bardhylin.
Kalemxhiu nuk e shpjegonte nëse takimi i përshkruar me detaje e kishte lejen e Kadaresë apo ishte shfrytëzim diabolik i mirëbesimit apo mosvëmendjes kadareane ndaj një sharlatani letrar, lidhjet e të cilit me skrupujt apo moralin i ngjasojnë lidhjeve të zvarranikut me shqiponjën.
Blushi është ilustrimi perfekt i një kalemxhiu. Ai e ndërtoi karrierën e tij mbi aftësinë jo të zakontë për të qëmtuar si pakkush fjalët e hidhura dhe për të gatuar me to salcën e helmit me të cilin spërkaste fakte të ditura botërisht. Ishte pikërisht kjo salcë helmuese, ky gjen gjarpëror, që e veçoi prej të tjerëve dhe i dha sukses. Bashkëpunëtorët shquanin te kalemxhiu aftësinë diabolike për kafshim.
Çdo shkrim i tij është helmim i paskrupullt i opinionit. Domosdo përmes fakteve ose manipulimit të tyre. Ai e di shumë mirë se “opinioni”, kjo bishë njeringrënëse e përbotshme, pret me padurim kurbanin e penës së ngjyer me helm për ta shijuar në pjatën e “shareve” dhe “likeve”. Sa më i madh kurbani aq më i kënaqur populli, aq më i ngazëllyer kuzhinieri.
Por, është një ngazëllim i paqetë. Thellë brenda vetes e di që e vetmja fuqi e së tij është e keqja. Blushi e di se nuk frymëzon dot askënd përtej ca aspirantëve për gjarpërinj. Ai nuk di të qeshë, të gëzojë, të qajë, të emocionohet, të skuqet, zverdhet apo preket. Ai di të përqeshë, kërcënojë, shantazhojë, manipulojë, nxijë, kafshojë, helmojë.
Pas çdo kafshimi ai druhet se mos është i fundit, mos preja e tij do ta largojë, injorojë, përbuzë, pështyjë. Ai rri me shpresën se përmes mbjelljes së frikës dhe kërcënimit të mbijetojë në habitatin njerëzor. Dhe ia ka arritur suksesshëm deri tani.
E keqja e tij është se ambicia ia kalon talentin. U sul në teatrin e madh të politikës me fjalëhelmin në majë të gjuhës që vriste e priste për socializmin, demokracinë dhe vegjëlinë. Kolegët e braktisën. Ai ishte si një dhuratë për Ramën, e bënte edhe atë të dukej i mirë. Pas dështimit politik iu sul parave të privatit me pangopësinë e Harpagonit të përzier me vendosmërinë e banditit gjobvënës. Pa kujdesin për ta bërë këtë punë me minimumin e skrupujve. Aspak. E ktheu Top Channelin në një pastrues parash të inceneratorëve, aferës më të madhe publike të njohur në historinë e Shqipërisë.
Paratë kaloheshin nga llogaritë e hajdutëve publikë në atë të Blushit përmes blerjeve fiktive, të dokumentuara dhe bëra publike, nën hundën e SPAK-ut. Derisa erdhi përzënia si hajdut i kapur në flagrancë. Një përzënie ordinere, fshikulluese sa edhe meritore.
I spërkatur me erën e plehrave të djegura në inceneratorët e Sharrës, me kërcënimin e prangave të SPAK-ut dhe i përndjekur nga neveria publike e një hajduti mediatik, Blushi u hodh në një cep si kutërbues që të bën të kapësh hundën me dorë. Askush nuk e donte afër.
Por, çudia zgjat tri ditë thonë. Pa vonuar ndërroi strategji. Lëkura e re ishte ajo e një qëmtuesi bohemësh apo figurash të harruara. Përshtati një gjuhë të thjeshtë “Më tha – i thashë”, me fjali të shkurtra dhe ndërtoi nja dy-tre profile simpatike që mediat ia përhapën me bujari.
Pastaj, si bixhozxhiu që nuk duron të luajë për qejf, filloi helmatisjen, lojën e tij të preferuar. Një ditë, teksa fliste për vizitën e Perandorit Maksimilian të Meksikës, në Shqipërinë e 1853-shit, kalimthi shkruan “gjeti më shumë derra se katolikë”. Perandori Maksimilian ishte vëllai i Perandorit të Austrisë, Franc Jozefit. Ky mundet të jetë një fakt i nxjerrë nga arkivat por, vini re sesa me qejf e vë në dukje nënshtrimin e popullsisë shqiptare ndaj identitetit të tyre fetar.
Pak më poshtë përmend me perversitet poshtërues të persekutuarit politikë të një fshati të Lezhës ku helmonjësi kishte shkuar për punë fizike në vitin 1988. Ja sesi shprehet:
“Disa herë kam menduar se vajtja jonë në këto zona, ishte një kompensim që komunizmi u jepte të persekutuarve për t’u ndjerë persekutorë. Dhe të persekutuarit persekutonin me qejf të madh, me shumë pasion dhe me art kolektiv. Ata ishin të përpiktë në procesin e persekutimit tonë dhe nuk bënin asnjë gabim për të cilin mund të ndëshkoheshin vetë.”
Ja, ky është helmi i radhës. Ai nuk kursen as vuajtësit e përvuajtur të asaj kohe ku Blushi ishte kaposhi për të cilin bëheshin filma socrealistë.
***
Dalëngadalë po del nga skuta e tij e partnerit të inceneratorëve, bashkëpunëtorit më të ngushtë të Mirel Mërtirit, përfituesit të aferës më të madhe publike në shtetin shqiptar. Sepse ai nuk rri dot pa helm. Të helmojë, të kafshojë, të ushqehet me gjak të pastër është një nevojë biologjike pa të cilën ai nuk jeton. E fillon kafshimin në përgjithësi, me shqiptarët dhe paaftësitë e tyre, pastaj dalëngadalë vjen te të persekutuarit politikë dhe aftësitë e tyre persekutuese … Ky duket se është një ushqim veçanërisht i pëlqyeshëm për shijet e tij perverse. Të persekutuarit janë një gjah i mirë për orekset e bishës “opinion”, ata i hidhen atij si një krudo përpara sesa të vijë pjata kryesore, një levrek i marinuar. Atë do ta shqyejnë ….
Dhe Blushi e marinon me mjaft kujdes. Me zellin e një shefi sqimatar kuzhine ai hedh në gojën e Opinionit Publik (OP) një Kadare – budalla, të sklerozizuar, të hutuar, që nuk lexon, nuk sheh televizor, nuk mendon, nuk orientohet dot; që ka nevojë për një dado; që dado letrare dhe efektive e tij është hiç më pak se Kryetarja e Qendrës Kombëtare të Librit, që është gjumash, ka ftohtë… Një njeri jerm, të mbaruar, një kufomë të pakallur, një shëmbëlltyrë e një karikature me të cilin ia vlen të tallesh. Dhe e bën këtë në ditëlindjen e tij …
Sepse ai e di grykësinë e bishës OP për një ushqim të tillë. Ata u kënaqën në grazhdin e tyre duke ripërtypur ushqimin e ofruar. Duke mbyllur sytë nga kënaqësia dhe lëshuar në “like” e “share” si kurrë më parë …
Kur e mbarova më erdhi në mendje teksti i Volterit për kalemxhiun. Por Volterin nuk mund ta njihte një kalemxhi modern si Blushi. Një të tillë e prodhojnë vetëm kohët moderne. Ai vërtetë kafshon për forcë zakoni si kalemxhinjtë e Volterit por, përtej asaj, kalemxhiu modern shfrytëzon helmin e pregatitur për të kafshuar paratë publike.
Kalemxhiu i sotëm një herë shitet si hero i vegjëlsisë që kërkon taksa të ulëta për ta, është luftëtari më i vendosur i oligarkëve dhe zëri i të pazëshmëve për tu kthyer vetëm pak muaj më vonë në mikun dhe avokatin më të madh të hajdutëve publikë, në bashkëpunëtorin e tyre të devotshëm. Blushi e ktheu Top Channelin në zërin e Mirel Mërtirit me dokumentarë që na i shisnin inceneratorët si revolucionin modern të pastërtisë. Ben Blushi ishte krijuesi i emisioneve gjobvënëse që lemerisën ambasadën amerikane; Blushi nën petkun e interesave të publikut vuri gjobë ndaj Kompanisë CFO Pharma sepse nuk kishte paguar taksën e caktuar nga Blushi. Ben Blushi është një hajdut publik, është një armik i fjalës së lirë dhe aleati më i madh i fjalës së blerë. Emisionet e bëra në kohën e udhëheqjes së tij editoriale në TCh janë emisionet e shantazhit, gjobave, përdorjes politike. Ben Blushi është i vetmi njeri në botë që mendoi se edhe plehrave të Sharrës mund tu vinte era e mirë, mjaft t’i hidhej parfumi i duhur. Prandaj bëri një serial televiziv për këtë punë. Por nga përzierja e plehrave me parfumin vjen era blush.
Ky shkrim nuk ka qëllim ta mbrojë Kadarenë. Fundja nuk jam as personi i duhur. Ky shkrim ka qëllim të flasë për kalemxhiun modern dhe veset e dëmshme të tij për shoqërinë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Sekreti drejt zemrës së një gruaje!
Pse njerëzit kanë nevojë për tregime?
Guri i Rozetës: Deshifruesit e vërtetë të kodeve të lashtësisë
Viti 1922: Në Shkodër lindi Marie Shllaku
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje