Juventusi është duke kërkuar të ndërtojë një skuadër të fuqishme për edicionin e ardhshëm.
Kampioni i shumëfishtë i Italisë ka mbetur mbrapa garës për titull, por qysh tani po mendojnë për edicionin e ri.
Sulmuesi iranian, Sardar Azmoun është bërë objektiv i Zonjës së Vjetër për repartin ofensivë.
Ashtu si gjitha skuadrat tjera, edhe Juve po kërkon të përforcohet me kosto të ulët dhe Azmoun mund të merret me parametra zero.
27-vjeçari ka shkëlqyer viteve të fundit me Zenitin dhe ka ngjallur interesimin e skuadrave të mëdha.
Calciomercato ka raportuar se Zonja e Vjetër është duke ndjekur situatën e iranianit dhe synon të futet në bisedime me agjentët e lojtarit.
Reprezentuesi i Iranit i ka bërë të qartë Zenitit se nuk do ta rinovojë kontratën dhe do të largohet në verë si futbollist i lirë.
Lyon, Roma, Arsenal, Newcastle United dhe Everton janë gjithashtu në garë për transferimin e sulmuesit.
Azmoun këtë edicion ka zhvilluar 21 ndeshje me Zenitin ku ka shënuar 10 gola e ka bërë katër asistime. /Telegrafi/