Eksperti amerikan, Joseph: Kurti të përgatitet për presione të forta nga administrata Trump

Profesori dhe eksperti i politikës së jashtme dhe çështjeve të Ballkanit, Edward Joseph, konsideron se kryeministri i Kosovës Albin Kurti mund të përballet me presione të njëjta si ato ndaj presidentit ukrainas nga Donald Trump. Madje, ai thotë së Kurti është në pozitë edhe më të pafavorshme se Zelensky.
Joseph thotë se Kurti nuk ka mbështetjen e plotë të BE, apo Britanisë së Madhe dhe është përballur vazhdimisht me kritika.
Eksperti amerikan nuk përjashton mundësinë e tërheqjes së trupave të SHBA nga KFOR, por thotë se Donald Trump duhet të përballet me problemet që do të vijnë nga një vendim i tillë.
Në një intervistë për A2CNN, është pyetur nëse mund të presim presione ndaj Kurtit nga administrata Trump, ashtu si në rastin e Zelenskyt, për të shtyrë drejt një marrëveshje me Serbinë
“Po! 100 për qind po, është përgjigjja e pyetjes. Tani, a do te jete presioni për të arritur marrëveshjen, apo diçka tjetër nuk mund ta them. Kërkesat e sakta nuk mund t’i dimë. Por nëse kryeministri Kurti rikthehet si kryeministër, atëherë ai, dhe të gjithë në Kosovë duhet të presin presion shumë të lartë nga administrata Trump. Kryeministri Kurti mund të përballet me të njëjtin trajtim si ai që Trump i rezervoi Zelenskit. Dhe kryeministri Kurti nuk është në pozita të njëjta me Zelenskin”, tha ai.
Joseph thotë se “presidenti ukrainas ka mbështetje të madhe evropiane, ka mbështetje të madhe nga Mbretëria e Bashkuar. Kryeministri Kurti nuk e ka këtë mbështetje. Për kryeministrin Kurti ka kundërshti dhe kritika nga Bashkimi Evropian dhe nga Mbretëria e Bashkuar”.
“Duhet gjithashtu të kuptojmë se kryeministri Kurti kishte kritika edhe nga administrata e mëparshme në SHBA, ajo e Biden. Prandaj kjo nuk është diçka që ka të bëjë vetëm më Donald Trumpin. Kjo ka të bëjë me frustrimin në të gjitha këto vende perëndimore me lidershipin e kryeministrit Kurti, përveç problemeve që kanë me Serbinë. Unë e pranoj këtë. Serbia është provokuese dhe, nën udhëheqjen e presidentit Vuçiq, ka ndërmarrë hapa të qartë për të provokuar dhe për të destabilizuar situatën, e pranoj këtë. Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti, në mënyrë të panevojshme ka provokuar situatën në veriun e Kosovës dhe nuk ka përmbushur përgjegjësinë e tij si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Nuk e ka përmbushur këtë në drejtim të serbëve, të cilët janë qytetarë të Kosovës dhe të cilët kryeministri Kurti duhet të përpiqet ti tërheqë larg Beogradit, në vend që të ushtrojë trysni duke I bërë që të shohin nga Beogradi dhe jo Prishtina”, ka thënë eksperti amerikan.
I pyetur nëse Trump mund të shtyjë një marrëveshje që mund të përfshijë shkëmbime territoresh, Joseph ka thënë se kjo është një pyetje e drejtë dhe e arsyeshme.
“Sigurisht është një pyetje që duhet bërë, por ne nuk e dimë përgjigjen e kësaj pyetje. Përgjigjja e kësaj pyetje do të ishte se çfarë rreziqesh administrata Trump, do të ishte e gatshme të merrte përsipër nëse do të propozonte shkëmbim territoresh. Pasi administrata do të pranonte rreziqe shumë të larta në Bosnje dhe Hercegovinë, sepse Milorad Dodik do të përfitonte me siguri nga kjo. Ai aktualisht është në pozita jo të mira me dënimin e fundit dhe krizën në Bosnje, dhe kemi parë presidentin Vuçiq teksa udhëtoi në Banja Luka për të treguar mbështetje për të. Prandaj nëse ka shkëmbim territoresh atje, çfarë do ta pengonte Milorad Dodik, të avanconte me qëllimet e tij. Ky problem do të shkonte më pas në dyert e Administratës Trump, dhe pyetja për të dhe këshilltarët e tij do të ishte, ai i doni këto probleme?”, thotë Joseph.
Në pyetjen se nëse sheh ndonjë rrezik, që SHBA mund të tërheqë trupat e veta nga KFOR, dhe çfarë do të nënkuptonte kjo për sigurinë, Joseph thotë se “me Donald Trumpin nuk përjashtohet dot asgjë”.
“Ai ka thënë në fjalimin e tij se Groenlanda do të bëhet një ditë pjesë e Shteteve të Bashkuara. E sugjeroi këtë në fjalimin e tij këtë javë në Kongres. Pra nëse ai e thotë një gjë të tillë për Groenlandën, a mund të zhvendosë trupat nga Kosova? Epo, ai është Donald Trump. Ne nuk e dimë se çfarë mund të bëjë. Por pyetja mbetet, nëse ai dëshiron pasojat e një veprimi të tillë. Kjo është pyetja. Për SHBA mbajtja e trupave në Kosovë nuk ka kosto të mëdha. Pra kjo është pyetja për Donald Trumpin. A i do problemet që vijnë me këto vendime?”, ka thënë Joseph. /A2CNN/




































