Site icon Telegrafi

Jabllanoviq: Dorëzova prova në PZAP për personat e vdekur që ishin në listën zgjedhore, nuk u ndërmor asgjë

Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Partisë së Serbëve të Kosovës, ka folur për listën e votuesve në zgjedhjet e vitit 2017.

Ai ka rrëfyer rastin se si ka raportuar në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për personat e vdekur që nuk janë hequr nga lista e votuesve, por që nuk është ndërmarrë asgjë lidhur me këtë.

“Unë kam shkuar edhe në PZAP dhe aty më ka pritur një zotëri shumë profesional, z. Mulë Desku, për të cilin nuk kam kurrfarë ankesash. Atij ia kam sjellë disa fotografi ku shihen gurët e varrit të disa personave për të cilët kam pohuar se kanë votuar në disa vendvotime”, ka thënë Jabllanoviq.

Sipas Jabllanoviqit, Desku i kishte thënë që nuk mund të bëjnë asgjë kundrejt të vdekurve.

“Pra, duhet dikush të nisë procedurë, që të dëshmohet se ai votues është person i vdekur. Mirëpo, kjo duhet të bëhet brenda afatit prej 24 orë pas mbylljes së vendvotimeve, sepse pas kësaj skadon afati i ankesës. Madje, të gjithë ata që unë kam pohuar se janë të vdekur, ata u ‘bënë’ të vdekur vetëm në vitin 2021 kur dikujt në Prishtinë kjo i paskësh penguar. Ata kanë mundur të jenë të gjallë deri në vitin 2021”, ka shtuar Jabllanoviq.

Ai më tej ka thënë se ka pasur 127 njerëz në vendvotimet e Leposaviqit të cilët ishin më të vjetër se 100-vjeçarë. /Kallxo/

Exit mobile version