IKSHPK: Kujdes, virusi akoma gjendet në mesin tonë!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës përmes një kumtese ka reaguar pasi është vërejtur se qytetarët nuk janë duke i respektuar rekomandimet e dhëna për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Sipas këtij instituti, lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Komunikata e IKSHPK:"Të nderuar qytetarë! Kjo situatë si në foto është e pa tolerueshme! Mbrëmë detektuam një rast pozitiv në Prishtinë!Ky rast nuk është për tu festuar, por për tu brengosur!
Në Kosovë u regjistrua të premten vetëm një rast i ri me koronavirus.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) tha se ka testuar gjithsej 243 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Rasti pozitiv, sipas IKSHPK-së, është rast kontakti nga Komuna e Prishtinës.
IKSHPK-ja po ashtu bëri të ditur se të premten janë shëruar 61 pacientë, që më herët janë diagnostikuar me koronavirus.
Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i të shëruarve shkon në 622.
Të premten po ashtu vdiq një 77-vjeçar nga Komuna e Rahovecit, i cili ditë më parë është diagnostikuar me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Gjithsej, në Kosovë janë konfirmuar 862 raste me koronavirus - prej tyre 28 kanë vdekur.
Fotografia e publkuar nga IKSHPK duket se është bërë sot nga shpërndarja e ndihmave me pako ushqimore për banorë të Prishtinës. /Telegrafi/



















































