Ligji i ri për pagat në sektorin publik, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës në shkurt të vitit 2023 dhe i njëjti redukton përqindjen e shtesës mbi përvojën e punës për 15 vitet e para, sipas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dëmtuar mbi 90 mijë zyrtarë publik si dhe rrezikon buxhetin shtetëror.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, gjatë prezantimit të raportit tha se zyrtarët publikë kanë të drejtë që për këtë të kërkojnë kompensim në gjykatë.
Shala, shtoi se ky ligj dëmton edhe buxhetin e shtetit në vlerë prej 35 milionë euro.
“Mos zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, është shkelje e vet Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në këtë situatë në të cilën jemi, normalisht që zyrtarëve publikë u lind e drejta për të kërkuar [kompensim] dëmi që u ka shkaktuar… Mosveprimi i Kuvendit, përpos që do ta mbingarkojë gjyqësorin dhe do të cenojë të drejtat e zyrtarëve publik, do ta dëmtojë edhe buxhetin e Republikës së Kosovës, me një vlerë përafërsisht rreth 35 milionë euro”, tha Shala, raporton KosovaPress.
Ndërsa, sipas koordinatorit të Departamentit për drejtësi në PDK, Përparim Gruda, Kuvendi nuk po zbaton aktgjykimin e Kushtetutës, jo për shkak të mungesës së mundësive ligjore apo teknike, por sepse “lideri i tyre, nuk dëshiron ta bëjë një gjë të tillë”.
“Shkeljet e Kushtetutës dhe moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk janë raste të izoluara, është një gjë që e ka përshkruar krejt punën e kësaj qeverie në katër vitet e fundit. Ne duhet të themi formalisht nuk e zbaton Kuvendi, por e vërteta është që Kuvendi nuk e zbaton, sepse ai që është lideri i mazhorancës nuk dëshiron ta zbatojë. Është e paimagjinueshme që vendimet e Gjykatës Kushtetuese në një vend demokratik të neglizhohen, të mos zbatohen, sepse ato janë norma kushtetuese”, shtoi Gruda.
Ndërkaq, Armend Zemaj, deputet i disa legjislaturave në Kuvend, u shpreh se në këtë mënyrë mund të vazhdojë dëmi kushtetues.
“Nuk është vendimi i vetëm që është dashur si detyrim kushtetues të ndryshohet në ligjet të cilat kanë dalë me shkelje kushtetuese, kjo është njëra ndër vendimet sepse ka pasur edhe për ligje të tjera, ku është kërkuar ky gjashtë mujori dhe qeveria vetëm e ka improvizuar. Në situatën të cilën jemi, nëse eventualisht është logjika e njëjtë, dëmi kushtetues dhe publik mund të vazhdojë në vazhdimësi”, theksoi Zemaj.
IKD bën thirrje që pas konstituimit të legjislaturës së nëntë, të trajtohet me urgjencë kjo çështje dhe të bëhet plotësim ndryshimi i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Me këtë, sipas IKD-së, do të garantohej niveli i pagesës së përvojës së punës në lartësi prej 0.5 për qind, dhe se shtrirja e kësaj pagese sipas aktgjykimit të Kushtetueses duhet të jetë nga 1 shkurti 2024.